Sanremo 2026, Ermal Meta: Fjalët Gaza dhe Palestinë nuk janë blasfemi, por fakti që po fshihen është

Kulturë | 8 muaj më parë

Festivali i Sanremos këtë vit ka kaluar kufijtë e një ngjarjeje thjesht muzikore, duke u kthyer edhe në një platformë për mesazhe të forta sociale dhe politike. Në qendër të vëmendjes së edicionit të vitit 2026 nuk janë vetëm performancat vokale, por edhe qëndrimet e prera të artistëve si Ermal Meta dhe Levante, lidhur me konfliktin në Gaza, vuajtjet e civilëve dhe heshtjen e shoqërisë moderne.

Ermal Meta: “Heshtja është tema e madhe e botës së sotme”

Gjatë një konference për shtyp në Ariston, kantautori shqiptaro-italian Ermal Meta ka folur hapur për mesazhin që fshihet pas këngës së tij konkurruese, Stella Stellina. Ai hodhi poshtë idenë se të flasësh për territoret e konfliktit përbën tabu.

“Disa fjalë nuk mund të përdoren, nuk mund të thuash Gaza, nuk mund të thuash Palestinë, sikur të ishte blasfemi. Nuk është kështu. Blasfemia është diçka krejtësisht tjetër: është fakti që ato fshihen,” deklaroi Meta.

Ai theksoi rrezikun e tjetërsimit të shoqërisë, ku tragjeditë konsumohen me shpejtësi në rrjetet sociale, të përziera me imazhe të zakonshme të përditshmërisë. Sipas artistit, i cili reflektoi edhe nga pozita e tij si prind, jetojmë në një realitet ku “fëmijët vdesin” mes postimeve për festa dhe makina, duke bërë që “gjithçka të bëhet e njëjtë, menjëherë”. Apeli i tij pas performancës ishte i qartë: fëmijët duhet të bëjnë zhurmë dhe jo të detyrohen të heshtin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme