Saranda drejt një transformimi të ri, ndryshojnë planet për ish-Rezidencën Qeveritare

Qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi dy vendime të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt menaxhimin e pronave publike në qytetin e Sarandës, duke i hapur rrugë investimeve të reja në turizëm dhe arsim. Përmes ndryshimeve në vendimet e mëparshme, Këshilli i Ministrave ka specifikuar destinacionin e ri të ish-Rezidencës Qeveritare dhe truallit përreth saj.
Me propozim të Kryeministrit, ish-Rezidenca Qeveritare (zona kadastrale 8642), e cila i kishte kaluar më parë Bashkisë Sarandë për krijimin e një “Eko-Kampusi”, tashmë do të shërbejë edhe për një projekt madhor strategjik.
Sipas tekstit të vendimit të zbardhur:
“Prona do të përdoret për ndërtimin e një Eko-Kampusi, si dhe për zhvillimin e projektit ‘Poli i Zhvillimit Turistik Sarandë’.”
Ky ndryshim sinjalizon një përpjekje për të integruar mjediset arsimore me ato turistike, duke krijuar një qendër të re zhvillimi në jug të vendit.
Arsimi dhe programet parauniversitare
Paralelisht, qeveria ka ndryshuar edhe kushtet për sipërfaqen prej 9,200 m² të shkëputur nga trualli i Rezidencës, e cila i është kaluar pushtetit vendor për qëllime arsimore. Përveç ndërtimit të një shkolle 9-vjeçare, bashkisë i lind tashmë e drejta që këtë hapësirë ta përdorë edhe për “zhvillimin e programeve parauniversitare.”
Bashkia nuk mund t’i shesë trojet
Një nga pikat më thelbësore të këtyre ndryshimeve ligjore është forcimi i kontrollit shtetëror mbi këto pasuri. Në të dyja vendimet, qeveria ka vendosur të shfuqizojë të drejtën e Bashkisë Sarandë për të tjetërsuar këto prona.
Në dokumentet zyrtare specifikohet qartë heqja e fjalisë që lejonte bashkinë “ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve”. Kjo masë siguron që pronat të mbeten në funksion të interesit publik dhe të projekteve të miratuara, pa pasur mundësi shitjeje apo dhënieje në përdorim palëve private pa miratimin e qeverisë qendrore.
Për zbatimin e këtyre detyrave janë ngarkuar menjëherë Bashkia Sarandë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Vendimet, të firmosura nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




