Saranda merr masat për sezonin turistik, nënprefekti për RTSH: Janë rritur investimet në infrastrukturë

Bashkia e Sarandës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku pritet që këtë vit fluksi të jetë tepër i lartë. Në një intervistë për RTSH, nënprefekti i Sarandës Kristaq Kiço tha se po merren masa jo vetëm në sigurinë e turistëve por edhe me infrastrukturë.
Investimet në infrastrukturë janë kryesisht jo vetëm në lehtësimin e trafikut, por edhe sigurimin e rrugëve lidhëse jo vetëm mes Sarandës dhe Ksamilit por edhe me Bashkinë e Finiqit dhe atraksioneve kryesore.
“Është një vit ndryshe nga vitet e tjera për sa i përket fluksit që pritet nga turizmi dhe kjo duket në muajt e parë të fillit të sezonit. Kemi bërë plan masash për të ndihmuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik. Duke parë fluksin dhe ndërhyrjet në infrastrukture gjatë këtyre 6 muajve janë bërë ndërhyrje dhe vijojnë punët publike. Kjo ka krijuar një lloj vështirësie në trafik në Sarandë, por do të ndihmojë pozitivisht për një sezon të mbarë këtë vit. Ka ende nevojë për ndërhyrje të tjera ku bashkia ka paraqitur projekte mjaft ambicioze si ndërtimi një stacioni të autobusëve që i ka munguar qytetit dhe ka krijuar problematika ndër vite dhe do miratohet edhe projekti i rrugës që do të lehtësojë trafikun në Sarandë. Investime janë bërë edhe në Ksamil në infrastrukturë, që preferohet shumë nga turistët. Zhvillimi pa kriter i Sarandës ndër vite ka krijuar problematika për trafikun dhe hapësirat publike nuk janë në atë masë që duhet, po bëhen përpjekje nga bashkia Sarandë për të gjetur mundësi të reja në këtë drejtim. Gjatë pikut të sezonit duhet të minimizojmë lëvizjet a kriter brenda qytetit që të mos krijohen problematika në trafik”, tha Kiço.
Një nga problematikat që nënprefekti Kiço ngriti ishte mungesa e stafit profesional në hoteleri-turizëm, gjë që ndikon në cilësinë e turizmit në vend.
“Një problem është mungesa e punonjësve të specializua në fushën e turizmit. Kjo sjell probleme me cilësinë e turizmit dhe duhet punuar në këtë fushë me stafin dhe profesionalizmin e tyre”.
Lidhur se nga kush turistë preferohet më shumë Saranda, Kiço tha se “ka shumëllojshmëri të turistëve në Sarandë, është fluks i madh nga Italia por edhe nga vendet e tjera të Evropës si Polonia, Ukraina e Gjermania”.
Nënprefekti i Sarandës tha se në fokus të turistëve po kthehet edhe nga Finiqi, ku përtej Syrit të Kaltër ka edhe shumë zona të tjerë në interes të turistëve që nga agroturizmi deri tek objekt fetare.
“Në Bashkinë e Finiqit ka një tendencë të banorëve për të kthyer shtëpinë në hoteleri dhe kjo do ndihmojë në zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo do të ndihmojë edhe në përthithjen e investimeve në të ardhëm nga shteti dhe zhvillimin e saj. Duhet një strategji që Finiqi dhe Saranda të kenë një projekte të përbashkëta zhvillimi në turizëm ku objekte fetare dhe ato natyrore janë të shumta për t’u vizituar. Qyteti antik i Finiqit me histori të lashtë, Syri i Kaltër, fshati Dhrovjen që është pararojë e kulturës së minoritetit atje por që ka nevojë për infrastrukturë, jemi munduar që t’i japim një imazh tjetër këtyre zonave. Në këtë zonë ka dhe manastire dhe kisha të ndryshme që duhet të jenë të aksesueshëm për turistët. Ka një tendencë për zhvillimin e agroturizmit dhe do të zgjidhen problemet lidhur me certifikatat e pronësisë. Ky proces duhet të përfundojë që t’i japë një hov më pas zhvillimit ekonomik”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




