Seanca në GJKKO për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, Cakrani: Çështja CEZ-DIA, e fabrikuar. Mesazhi ‘deri nesër më duhen 200’, provë e paligjshme

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Të dy janë paraqitur në sallën e gjyqit, ndërsa seanca është shoqëruar me debate procedurale dhe kundërshtime të forta nga mbrojtja lidhur me provat e paraqitura nga SPAK.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ka kundërshtuar në mënyrë të detajuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, veçanërisht ato që lidhen me çështjen CEZ-DIA, duke argumentuar se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me veprat penale që pretendohen nga organi i akuzës.
“Me atë çfarë ka ndodhur me CEZ-DIA, kjo çështje ka nisur në vitin 2017 me një kallëzim nga Romeo Karaj. Kallëzimi është bërë menjëherë pasi ka përfunduar procedimi ndaj Kastriot Ismailajt, kur ai u dënua me vendim të formës së prerë dhe mbaroi edhe procedura në arbitrazh. Karaj ka qenë i përfshirë në këto procese. Kallëzimi fillimisht ka qenë për Sali Berishën dhe gjithë qeverinë Berisha, e më pas ka kaluar te Meta”, deklaroi Cakrani para trupës gjykuese.
Sipas avokatit, çështja CEZ-DIA është përdorur ndër vite për të goditur politikisht Metën dhe nuk ekziston asnjë provë konkrete që e lidh atë me aktivitetet e kompanisë DIA apo me procedurat që janë hetuar më parë.
“Kundërshtarët politikë gjejnë njerëz si Karaj dhe Vojsava Ismailaj, të cilët, për hallet e tyre familjare apo mendore, japin intervista jashtë Shqipërisë, të cilat në këtë rast janë marrë në konsideratë. CEZ-DIA ishte një koncesion shtetëror. DIA është një kompani amerikane që operon në të gjithë botën dhe drejtohej nga Rebeka. Ajo nuk ka pasur nevojë as për ndihmën e Berishës dhe as të Metës. I mjaftonte Dritan Prifti”, tha ai.
Mbrojtja këmbënguli se gjatë procesit gjyqësor ndaj Kastriot Ismailajt nuk është përmendur asnjëherë emri i Ilir Metës dhe se as dëshmitarët e përfshirë në atë procedurë nuk kanë bërë referenca ndaj ish-presidentit.
“Në procesin ndaj Ismailajt dhe të tjerëve, asnjëherë nuk është përmendur Meta. Edhe ata që kanë dëshmuar nuk e kanë përmendur Metën asnjëherë. Kur është mbyllur marrëveshja nga Gjiknuri, nuk është përmendur Meta. CEZ-DIA është përdorur për të goditur Metën. Në 15 faqe diskutohet nga prokuroria kjo që paraqitet si çështja e shekullit”, u shpreh Cakrani.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet që lidhen me udhëtimet e Metës me Kastriot Ismailajn, duke argumentuar se fakti që dy persona kanë udhëtuar në të njëjtën ditë apo kanë përdorur të njëjtin terminal aeroporti nuk mund të konsiderohet provë penale.
“Edhe pse mund të ketë udhëtuar në një avion me Ismailajn, Meta është kthyer me urgjencë më 2 dhjetor për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Atëherë ka pasur vetëm një sportel VIP ku hynin politikanët apo biznesmenët. Fakti që kanë hyrë në të njëjtën ditë nuk e kriminalizon Metën”, deklaroi ai.
Avokati ngriti gjithashtu pretendime për mënyrën se si janë administruar disa prova nga organi i akuzës, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e një mesazhi telefonik të vitit 2009 që sipas SPAK lidhet me hetimin.
“Nuk ka lidhje një mesazh ku thuhet ‘Më duhen 200 deri nesër’, kur ky mesazh nuk gjendet as në dosje. Është cenuar rëndë Kushtetuta, sepse nuk ka vendim për përgjim. Kur është vendosur nën përgjim një deputet në atë kohë? Ku është subjekti i posaçëm që ka kryer korrupsionin pasiv në vitin 2009? Duhet të kesh qenë funksionar publik. Meta nuk ka qenë funksionar, por vetëm deputet në opozitë”, argumentoi ai.
Sipas mbrojtjes, përdorimi i këtij mesazhi përbën shkelje të imunitetit parlamentar dhe nuk ekziston asnjë provë që të tregojë se shifra “200” i referohej shumës prej 200 mijë eurosh, siç pretendohet nga prokuroria.
“Sa i përket mesazhit ‘Deri nesër më duhen 200’, aty nuk ka asgjë që të provojë pretendimin e prokurorisë se bëhet fjalë për 200 mijë euro. Ndërkohë Meta ishte deputet dhe kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të imunitetit parlamentar”, tha Cakrani.
Avokati kërkoi gjithashtu që nga procesi gjyqësor të përjashtohen disa prova që, sipas tij, janë marrë në kundërshtim me ligjin, përfshirë intervista mediatike, videopërgjimin e realizuar nga ish-ministri i ndjerë Dritan Prifti dhe materiale të përdorura në procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar.
“Intervistat e gazetarëve me Ervis Metajn dhe Vojsava Ismailajn duhet të deklarohen të papërdorshme dhe të përjashtohen nga gjykimi. Po ashtu, të përjashtohen mesazhi SMS i vitit 2009, video-përgjimi i Dritan Priftit dhe materialet nga arbitrazhi, të cilat janë absolutisht të ndaluara të përdoren si prova në një proces penal në vendin tonë kur janë marrë sipas procedurave të atij arbitrazhi”, deklaroi ai.
Cakrani ritheksoi se mbrojtja e konsideron të pabazuar të gjithë episodin e CEZ-DIA dhe kërkoi që provat e kontestuara të shpallen të papërdorshme.
“Episodi i CEZ-DIA është i sforcuar, sepse duhej ndërtuar një akuzë. Ne mendojmë se jemi të pafajshëm për CEZ-DIA. Nuk ka të dhëna se si është ruajtur kjo provë për 15 vjet. Të përjashtohet nga fashikulli dhe të deklarohet e papërdorshme”, theksoi avokati i Ilir Metës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



