Sekuestrohen 13 pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe makina luksoze në pronësi të noteres në Tiranë

Sekuestrohen 18 asete me vlerë 3 milionë euro të përfituara nga burime kriminale që i ka përfituar një 35-vjeçare gjatë detyrës së saj si notere.
Pas hetimeve të kryera nga prokuroria e Tiranës, rezulton se 35-vjeçarja përgjatë 9 viteve (2013-2024) ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”.
Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.
35-vjeçarja ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat, sipas Prokurorisë, nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.
Nga verifikimet, është konstatuar një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime.
Po ashtu, pas hetimeve, dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




