Sekuestrohen 200 mln euro të mafies italiane, goditet rrjeti financiar i Messina Denaro në disa shtete

Botë | 5 muaj më parë

Autoritetet italiane sekuestruan mbi 200 milionë euro pasuri të lidhura me ish-bosin e Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, në një operacion ndërkombëtar, i fokusuar kundër pastrimit të parave dhe trafikut të drogës. Siç raportojnë mediat në shtetin fqinj, Operacioni nga Prokuroria e Antimafias së Palermos dhe Guardia di Finanza u zhvillua në disa shtete, përfshirë Italinë, Spanjën, Zvicrën, Luksemburgun, Andorrën, Gjibraltarin, Libanin, Principatën e Monakos, por edhe Ishujt Kajman.

Hetimet, që vijuan edhe pas vdekjes së bosit të Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, çuan edhe në arrestimin e tre personave nga autoritetet italiane dhe zbuluan një rrjet kompanish offshore, pasuri të paluajtshme dhe investime financiare që dyshohet se janë krijuar nga fitimet e trafikut ndërkombëtar të drogës që prej viteve 1980.

Operacioni u zhvillua në mëngjesin e sotëm (28 maj) në Palermo dhe, sipas hetuesve, sistemi financiar ishte ndërtuar që prej viteve 1980, ku Cosa Nostra trapanese e “Ciccio Di Trapani” arriti kulmin e fuqisë në tregtinë ndërkombëtare të drogës.

Asokohe në krye të strukturës kriminale u vu Matteo Messina Denaro, me nofkën “Diabolik”, ish-kreu i mafies së Castelvetranos, një provincë e Sicilisë, i cili pas 30 vitesh në arrati dhe me identitet të rremë, më 16 janar 2023 u prangos në një spital në Palermo, teksa i nënshtrohej kimioterapisë, ndërsa u nda nga jeta pak muaj më vonë në burgun e L’Aquila-s.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme