Sezoni i ri në Radio Televizionin Shqiptar, tri emisione të reja nga 22 shtatori në kanalin RTSH 1 HD

Televizion | 1 vit më parë

Ekrani më i madh i shqiptarëve, Radio Televizioni Shqiptar, do të sjellë këtë sezon një buqetë emisionesh të reja, duke premtuar një programacion cilësor me plot risi në përmbajtje dhe stil.

Dita do të nisë me emisionin e mëngjesit, “Mirëmëngjes Shqipëri”, i cili do të startojë të hënën më 22 shtator nga ora 6:30–10:00. Mëngjeset e shqiptarëve do të jenë më të ngrohta falë një formati të ri me plot surpriza në moderimin e gazetares Sonila Agostini dhe Krist Martiros.

“Nisim prej kësaj të hëne nga ora 6:30 e mëngjesit deri në orën 10:00. Do të jemi nga e hëna në të premte, çdo ditë me ‘Mirëmëngjes Shqipëri’ për të pasur informacionet më të dobishme të mëngjesit. Do të jemi me lajmet shkurt, me gazetat, me motin, me këmbimin valutor. Do të kemi tema të ndryshme, si arsimi, shëndetësia, bujqësia. As sporti nuk do të mungojë,” u shpreh moderatori Martiro.

“Do të jetë një emision interaktiv me të ftuar të shumtë. Do të ketë lidhje direkte. Të mos i zbulojmë të gjitha, por nga e hëna që vjen, duke nisur nga ora 6:30 e mëngjesit, nga 22 shtatori do të jemi në transmetim të drejtpërdrejtë për t’ju thënë ‘Mirëmëngjes, Mirëmëngjes Shqipëri’,” shtoi gazetarja Agostini.

Dita në RTSH do të vazhdojë me “Çastin e duhur”. Gazetarja Fjodora Fjora do të vijë këtë herë në ekranin e RTSH me një emisionin të ri nga ora 14:00–16.00, ku do të përcjellë më pranë publikut personazhe të njohura, të cilat do të hapin zemrën dhe do të tregojnë momentet që kanë shënjuar jetën dhe karrierën e tyre.

“Ndryshe nga herët e tjera, unë e gjej veten në një emision të përditshëm. Ndryshimi qëndron te fakti që do të jemi më tepër të përqendruar në histori personale. Do të jenë kryesisht ngjarje të cilat  vijnë nëpërmjet personazheve të ftuara në emisionin ‘Çasti i duhur’ për të folur për një gjë që ata nuk e kanë thënë më parë. Do të kemi pothuajse gjithçka: argëtim, showbiz, muzikë, sport, art, kulturë, sociale, por gjithmonë që lidhen me personazhe të njohura dhe me ngjarje mediatike të cilat neve na bëjnë kuriozë,” u shpreh Fjora.

Flori Gjinin e gjejmë në provat e fundit me stafin e emisionit “Në kohë reale”, ku do të trajtohen gjerësisht tema aktuale, sociale dhe kulturore nëpërmjet kronikave të ndryshme nga terreni apo lidhjeve të shumta direkte. Gazetarët e terrenit do të ndodhen kudo në çdo shtëpi shqiptare, në çdo qendër pune, në çdo rrugë të kryeqytetit për të përcjellë te publiku emocionet dhe temat me të ndjeshme të familjes dhe shoqërisë shqiptare.

“Do të jetë një program i cili fashën e programit, orën 17:00, do ta ketë ndryshe nga herët e tjera. Pra, nuk do të jetë një program ku do të ulemi dhe do të shtjellojmë biseda të gjata, por një program që do të ketë lidhje në kohë reale, ngjarje të kronikës, ku do të futemi thellë. Do të kemi ekspertë, rrëfime ekskluzive, dhe përfaqësues të institucioneve, që do të na japin përgjigje të shumë pyetjeve që ne bëjmë. Pra, në kohë reale, jo vetë do të qajmë, do të qeshim me seriozitet çdo temë, por ndërkohë shumë çështje sociale do të kenë zgjidhje këtu,” zbuloi moderatori.

I gjithë kasti i sezonit të ri televiziv, porositë e fundit i mori nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili, e cila kërkoi përmbajtje dinjitoze në çdo minutë transmetimi dhe përmbushje rigoroze të misionit të gazetarit, me qëllim depërtimin në çdo shtëpi të shqiptarëve.

Por ky është vetëm fillimi, pasi programacioni i pasur në RTSH 1 HD do të vijojë edhe në orët e mbrëmjes me emisionet “prime time” të politikës, sportit dhe argëtimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme