Sfidat në sektorin e turizmit, ADZM Shkodër: Siguria, prioriteti i masave për sezonin
Ky sezon veror po shënon një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në zonat turistike të qarkut të Shkodrës, duke vendosur përpara institucioneve vendore një sërë sfidash për menaxhimin e fluksit dhe garantimin e një shërbimi sa më cilësor.
Për Administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura, një nga sfidat kryesore mbetet rritja e sigurisë së vizitorëve, sidomos në zonat malore.
Në këtë drejtim, vëmendja është përqendruar te orientimi i vizitorëve dhe krijimi i kushteve më të sigurta për lëvizjen në terrenet malore.
“Një element i cili është vënë re këto vitet e vitin e fundit ka qenë rritja e sigurisë, kjo sepse shumë turistë, mbas thirrjeve tona të vazhdueshme, i realizojnë vizitat me guida të licencuara, që do të thotë kemi pasur më pak incidente në pjesën e Alpeve. Nuk mund të harrojmë asnjëherë se apeli kryesor jonë është që të kemi kujdes në shtigjet malore të cilat janë të pamarkuara”, tha Agim Dardha, Drejtues i ADZM Shkodër.
Por sfidat nuk lidhen vetëm me zonat malore. Rritja e numrit të turistëve edhe ne bregdetin e Velipojës dhe Liqenin e Shkodrës kërkon më shumë angazhim. Për strukturat e turizmit në Bashkinë Shkodër, prioritet mbetet mirëmbajtja e territorit, krahas përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.
“Flukset turistike kanë edhe ato problemet e veta. Sfidë kryesore është edhe ruajtja dhe mbajtja e pastër ambientit, sidomos në këto zonat turistike. Në këtë drejtim janë shtuar intervalet pastruese të këtyre zonave turistike. Pjesa tjetër është edhe cilësia e shërbimeve sepse siç e dimë në flukset e mëdha duhet të jemi gjithmonë në kërkim të rritjes së cilësisë”, tha Renato Lumçi, Drejtor i Turizmit , Bashkia Shkodër
Mbi 570 mijë vizitorë kanë frekuentuar zonat turistike të qarkut gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Fluksi më i lartë është regjistruar në Parkun Kombëtar të Alpeve, me qendër Thethin, që mbetet destinacioni më i kërkuara turistike në veri të vendit
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




