SHBA dhe Japonia arrijnë marrëveshje tregtare, investime prej 550 miliardë dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një marrëveshjeje tregtare me Japoninë, duke i dhënë fund negociatave të tensionuara që kishin shkaktuar pasiguri ekonomike dhe politike në të dy vendet.
“Sapo përfunduam një marrëveshje të madhe me Japoninë”, deklaroi Trump në një postim online. Sipas tij, Japonia ka rënë dakord të investojë 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, si dhe të ulë tarifat për disa produkte amerikane. Importet japoneze në SHBA, që më parë kërcënoheshin me një tarifë 25%, do të përballen tani me një tarifë të reduktuar prej 15%.
Në marrëveshje përfshihet gjithashtu hapja e tregut japonez për automjetet, orizin, kamionët dhe produkte të tjera bujqësore amerikane, çështje që kishin qenë në qendër të ngërçit gjatë negociatave.
Nga ana tjetër, kryeministri japonez Shigeru Ishiba, i cili po përballet me presion të shtuar politik brenda vendit, u shpreh i rezervuar. Ai theksoi se negociatori i tij do të shqyrtojë detajet e marrëveshjes përpara se të japë një qëndrim zyrtar, duke theksuar se “interesat kombëtare të Japonisë janë prioriteti ynë kryesor.”
Kryeministri Ishiba po përballet me kundërshtime brenda partisë së tij, pasi u zotua të qëndronte si udhëheqës pasi koalicioni i tij humbi shumicën në Dhomën e Lartë në zgjedhje, si dhe shumicën në Dhomën e Ulët në tetor të vitit të kaluar. Pozicioni i tij konsiderohet si i paqëndrueshëm në dy humbjet zgjedhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




