SHBA dhe Kuvajti forcojnë partneritetin strategjik pas sulmeve iraniane

Botë | 5 muaj më parë

Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, zhvilloi të enjten bisedime me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah, për të diskutuar partneritetin strategjik mes dy vendeve pas përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajon.

“Sekretari ripohoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Kuvajtit, për të siguruar që Irani të mos marrë kurrë armë bërthamore, si dhe për rivendosjen e lirisë së navigacionit në Ngushticën e Hormuzit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

Rubio dënoi si “të papranueshme dhe të turpshme” sulmet iraniane që goditën aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit dhe pjesë të tjera të vendit, duke shprehur ngushëllime për viktimat.

Takimi vjen pas njoftimit të mërkurën nga Korpusit i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) se ka sulmuar një bazë amerikane në Kuvajt dhe selinë e flotës së pestë të SHBA-së në Bahrein.

Sulmet, të cilat thuhet se ishin hakmarrje për një goditje amerikane ndaj një kulle komunikimi iraniane, shtynë Kuvajtin të shpallë dy diplomatë iranianë “persona non grata”.

Ministria e Jashtme e Kuvajtit njoftoi se dy diplomatët e lartë rishikuan “lidhjet e ngushta historike” dhe ripohuan angazhimin për forcimin e koordinimit në fushat politike, të mbrojtjes dhe të investimeve.

Të dy palët theksuan të drejtën e plotë të Kuvajtit për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kuvajti janë të bashkuar në vizionin tonë për stabilitet rajonal dhe një Ngushticë të Hormuzit të hapur dhe të lirë”, shkroi Rubio në platformën X.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme