SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4 persona

Botë | 11 muaj më parë

Pentagoni ka njoftuar se ushtria amerikane ka kryer një tjetër sulm vdekjeprurës ndaj një varke të dyshuar për trafikim narkotikësh në Oqeanin Paqësor lindor, duke vrarë katër persona.

SHBA ka publikuar një video ku shihet fundosja e një tjetër anijeje në zonën e Karaibeve, e cila thuhet se po transportonte narkotikë drejt territorit amerikan.

Pamjet janë regjistruar fillimisht nga Komanda Jugore e ushtrisë amerikane që vepron në këtë rajon dhe ata deklaruan se sulmi është kryer me urdhër të ministrit të luftës, Pete Hegseth.

Sipas njoftimit, operacioni u drejtua nga sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth dhe u realizua nga “Joint Task Force Southern Spear” në ujëra ndërkombëtare, ndaj një mjeti të cilësuar si i lidhur me një organizatë terroriste.

Në deklaratë thuhet se inteligjenca kishte konfirmuar se varka transportonte lëndë narkotike përgjatë një rruge të njohur të trafikut në Paqësorin Lindor.

Pamjet e publikuara nga Komanda Jugore e SHBA-së treguan shpërthimin e fuqishëm që përfshiu mjetin e vogël, i cili më pas u përfshi nga flakët dhe tymi i zi.

Ky është sulmi i 22-të i kryer nga ushtria amerikane ndaj mjeteve në Karaibe dhe Paqësorin Lindor që nga muaji shtator, duke e çuar numrin e viktimave të fushatës në të paktën 87 persona.

Sulmi i fundit vjen mes polemikave të forta në Kongresin amerikan mbi bazën ligjore të këtyre operacioneve, ndërsa ligjvënësit kanë premtuar hetime për sulmin e parë të publikuar në shtator, ku dy të mbijetuar që po mbanin veten mbi mbeturinat e një varke u vranë në një goditje pasuese.

/rsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme