SHBA-Meksikë, marrëveshje 90-ditore – Trump dhe Sheinbaum bien dakord për tarifa dhe negociata të reja tregtare

Amerikë | 1 vit më parë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se ai dhe presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ranë dakord të zgjasin marrëveshjen tregtare për 90 ditë. “Sapo përfundova një bisedë telefonike me presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, që ishte shumë e suksesshme në atë që, gjithnjë e më shumë, po njihemi dhe po e kuptojmë njëri-tjetrin”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Trump tha se Meksika do të vazhdojë të paguajë një tarifë prej 25 për qind për fentanilin, 25 për qind për makinat, si dhe 50 për qind për çelikun, alumin dhe bakrin.

 “Përveç kësaj, Meksika ka rënë dakord të ndërpresë menjëherë Barrierat Tregtare Jo-Tarifore, të cilat ishin të shumta. Ne do të flasim me Meksikën gjatë 90 ditëve të ardhme me qëllim nënshkrimin e një Marrëveshje Tregtare diku brenda periudhës 90 ditore ose më gjatë”, shtoi presidenti amerikan.

Disa mallra vazhdojnë të mbrohen nga tarifat përmes Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) të arritur më 2020, të cilën Trump e negocioi gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Megjithatë, presidenti amerikan duket se nuk është i kënaqur me këtë marrëveshje, e cila prite të rinegociohet vitin e ardhshëm.

Një nga veprimet e tij të para të mëdha pasi nisi mandatin e dytë presidencial ishte vendosja e tarifave për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja më herët gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë, SHBA-ja kishte një deficit tregtar prej 171.5 miliardë dollarësh me Meksikën vitin e kaluar që do të thotë se SHBA bleu më shumë mallra nga Meksika sesa që shiti në atë shtet.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme