SHBA: Sulmet ndaj Iranit, historike dhe të suksesshme kundër programit bërthamor

Amerikë | 1 vit më parë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbrojti sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i përshkruar sulmet si historike.

Gjatë një konference për shtyp në Pentagon, Hegseth tha se Trump drejtoi “operacionin ushtarak më kompleks dhe sekret në histori” dhe se ishte një “sukses i jashtëzakonshëm”

“Ky ishte një sulm historikisht i suksesshëm dhe ne duhet ta festojmë atë si amerikanë. Agjencia atomike e Izraelit tha se sulmi amerikan i bëri të paoperueshme impiantet e pasurimit iranian. Edhe kreu i organit mbikëqyrës bërthamor të OKB-së tha se programit bërthamor të Iranit iu shkaktuan dëme të mëdha. CIA konsideron se programi bërthamor i Iranit “është dëmtuar rëndë”, tha Hegseth.

Hegseth, foli edhe për samitin e NATO-s, ku tha se falë Trump vendet anëtare arritën të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PBB-së.

“Ajo që arriti Presidenti Trump ishte revolucionare dhe historike”, tha ai

Gjenerali amerikan Dan Caine, kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, tha se operacioni i Çekanit të Mesnatës ishte “kulmi” i 15 viteve punë.

Ai tha se armët e përdorura në sulme ishin “të projektuara, të planifikuara dhe të dorëzuara” për të arritur sukses në sulmin ndaj centralit bërthamor të Fordos.

“Avionët goditën dy boshte ventilimi në Fordo, të cilat iranianët u përpoqën t’i mbulonin me beton për të parandaluar një sulm. Në goditjen e parë, mbulesa u hoq duke zbuluar boshtet dhe më pas armët goditën. Në total, u hodhën gjashtë bomba në vendngjarje”, tha Caine.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme