Shehaj: Kërkesa për rinumërim të votave në Tiranë ka si qëllim që t’i vjedhë një mandat deputeti partisë ‘Mundësia’, kjo nuk do të ndodhë

Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia”, akuzoi të hënën ato që ai i konsideron si “parti të vjetra” se po përpiqen t’i vjedhin një mandat deputeti në tavolinë, nëpërmjet një kërkese në KQZ që ka paralajmëruar përfaqësuesi ligjor i PD-së, për rinumërimin e votave në Tiranë.
Sipas Shehajt, për partinë “Mundësia” qytetarët kanë votuar për “dy mandate, dy votëbesime, të ndershme, të padiskutueshme”.
“Askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush. Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë. Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë”, shkruan Shehaj në rrjetet sociale.
Shehaj siguron votuesit e partisë që ai drejton se votat e tyre nuk do të preken.
“Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.”, mbyll postimin Shehaj.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të kërkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës.
“Rezultati është mjaft i ngushte ne lidhje me mandatin e 14-të. Mandati është diskutim mes Partisë Demokratike+ Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe partisë së Agron Shehajt. Fletët e pavlefshme janë një opsion, nuk mund të anashkalohen, pasi janë rreth 17-18 mije fletë votimi të pavlefshme në gjithë qarkun e Tiranës. Patjetër që duhet të jenë pjesë e shqyrtimit dhe vlerësimit në gjykimin tonë“, deklaroi për mediet Franci Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




