Shembet pallati në Itali/Disa banorë raportohen të zhdukur, ndërsa vijojnë kërkimet nën rrënoja

Europë | 3 muaj më parë

Gjashtë persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një pallati katërkatësh në zonën e Mesinës në Itali. Mes të zhdukurve janë katër anëtarë të së njëjtës familje, ndërsa deri tani janë konfirmuar tre të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Të lënduarit janë dërguar në spitalet e qytetit, ndërsa në Poliklinikën Universitare të Mesinës është aktivizuar plani i emergjencës për përballimin e situatës. Komandanti i zjarrfikësve, Michele Burgio, u shpreh se ende ka shpresa për të gjetur të mbijetuar. “Jemi ende larg kufirit kritik prej 36 orësh, ndaj ekziston mundësia për të gjetur të mbijetuar”, tha ai.

Familjarët kanë bërë thirrje publike që të mos telefonohen personat e bllokuar për të ruajtur bateritë e celularëve, pasi ato përdoren për të lokalizuar vendndodhjen e saktë të të zhdukurve. Godina e shembur ishte ndërtuar në fund të viteve 1980 dhe në të ndodheshin ambiente tregtare në katet e poshtme dhe apartamente banimi në katet e sipërme.

Shkaqet e shembjes mbeten ende të paqarta, ndërsa Prokuroria e Mesinës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas të dhënave paraprake, pak çaste para shembjes është ndjerë një lëkundje, çka ka bërë që autoritetet të përjashtojnë mundësinë e një shpërthimi. Hetuesit dyshojnë se shkaku i tragjedisë mund të ketë qenë një problem në strukturën mbajtëse të ndërtesës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme