Shëndeti i grave ushtarake, prioritet institucional – Sala dhe Vengu: Mbrojtja e shëndetit të efektivëve dhe qytetarëve mision i përbashkët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilluan një takim sensibilizues me gratë dhe vajzat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut (RKV) në Vaun e Dejës, me qëllim ndërgjegjësimin për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Videoja e këtij takimi u publikua nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për shëndetin e grave shqiptare.
Gjatë aktivitetit, një nga mamografitë lëvizëse u stacionua në ambientet e RKV-së, ku gratë dhe vajzat në uniformë, si dhe banoret e zonës përreth, përfituan nga shërbimi falas i ekzaminimit. Ky veprim konkret është pjesë e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Gjirit, i cili ofrohet gjatë gjithë vitit.
Ministrja Sala, e cila është edhe mjeke diagnostikuese, theksoi rëndësinë e kontrolleve periodike dhe vijimësisë së programit:
“Programi Kombëtar i Depistimit për Parandalimin e Kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit. Në janar-tetor 2025 janë kryer rreth 16 000 mamografi, nëpërmjet mamografive stacionare dhe lëvizëse. Ndjesi e bukur për mua që si ministre, por mbi të gjitha si mjeke diagnostikuese, të jem mes grave e vajzave që mbrojnë vendin dhe jetën.”
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në shërbim të shëndetit publik dhe solidaritetit me komunitetin:
“Siç është tashmë traditë, bazat tona shërbejnë edhe si qendra për të mundësuar jo vetëm testimin dhe depistimin e grave e zonjave ushtarake që ushtrojnë detyrën në këto baza, por edhe për komunitetin.”
Dy ministrat u takuan edhe me trupat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët u shprehën mirënjohës për mbështetjen në misionet e emergjencave civile dhe për angazhimin e përbashkët në përballimin e fatkeqësive natyrore.
“Forcat e Armatosura dhe bluzat e bardha janë hallka të rëndësishme në zinxhirin e parandalimit dhe reagimit,” – u theksua nga përfaqësuesit e RKV-së.
Ky aktivitet është një shembull i qartë i përkushtimit institucional për shëndetin e grave dhe fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri, duke e kthyer depistimin në një mision të përbashkët për jetë më të shëndetshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








