Shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë

Më 17 maj shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT).
Ambasada amerikane në Tiranë në bashkëpunim me Open Mind Spectrum Albania organizuan këtë javë një aktivitet për të rinjtë me fokus të drejtat e njeriut.
Pas shfaqjes së filmave me metrazh të shkurtër të prodhuar nga aktivistë dhe artistë të rinj, studentë, profesorë dhe anëtarë të komunitetit LGBTQI+ u angazhuan në një diskutim të hapur dhe gjithëpërfshirës mbi rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese nga të gjitha segmentet e shoqërisë për t’i dhënë fund urrejtjes, diskriminimit, dhe dhunës ndaj individëve LGBTQI+ dhe komuniteteve të tjera të pakicave dhe të margjinalizuara.
Aktiviteti është pjesë e projektit “Youth 4 Human Rights”, i mbështetur nga programi i Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA.
Në shenjë solidariteti, godina e Ambasadës amerikane u “vesh” me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTQI+.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




