Shërbimet tatimore elektronike – Digjitalizimi po kursen kohë dhe shmang burokracitë, por nevojitet ende punë në terren
Përmirësimi dhe shtimi i vazhdueshëm i shërbimeve tatimore elektronike po e bën më të lehtë mbarëvajtjen e punëve të biznesit dhe të qytetarëve.
Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se në gjashtë muajt e parë të vitit, një ndër shërbimet më të përdoruara nga bizneset është vërtetimi i pagesës së detyrimeve, i shkarkuar në total 171.023 herë.
Ky shërbim dhe të tjerë i kanë ndihmuar tatimpaguesit, duke u kursyer kohë dhe duke shmangur burokracitë.
Për ekspertin Avni Tobli nevojitet ende një punë e vazhdueshme në terren në luftën ndaj informalitetit.
“Kjo është një arritje, por prapë është numër shumë i vogël. Po të llogarisim sa apartamente kemi në Tiranë që jepen nga individët, është i papërfillshëm. Rritja e numrit të deklarimeve është presioni që ushtron administrata tatimore mbi tatimpaguesit,” thotë z. Tobli.
Sipas ekspertit kontabël, problem mbeten momentet e fluksit të lartë të kërkesave në sistem.
“Në qoftë se përdoret nga shumë tatimpagues njëherësh atëherë ngadalësohet marrja e shërbimit,” shpjegon ai.
Eksperti Erion Muça mendon se sistemi kontribuon ndjeshëm në formalizimin e marrëdhënies punëdhënës-punëmarrës.
“Sigurisht kjo i bën më korrektë punëdhënësit, që pasqyrojnë online të gjithë raportin e marrëdhënies së punës,” shton z. Muça.
Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se sistemi në qershor 2025 pati rreth 14.770 më shumë punonjës të deklaruar krahasuar me qershorin 2024, tregues i qartë i formalizimit të tregut të punës.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




