Sherr masiv mes të rinjve në Vlorë, dy të plagosur rëndë pas goditjeve me sende të forta
Një konflikt i dhunshëm ka përfshirë një grup të rinjsh ditën e sotme në qytetin e Vlorës, duke lënë pas dy persona të dëmtuar rëndë. Ngjarja është shënuar në lagjen “Lef Sallata”, në rrugicat pas Bulevardit “Ismail Qemali”. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e RTSH 24 në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, rreth 10 persona janë përfshirë në një sherr masiv, i cili dyshohet se ka nisur fillimisht si një debat i çastit për motive banale. Situata ka degraduar shpejt në dhunë fizike, ku palët e përfshira kanë përdorur sende të forta kundër njëri-tjetrit, përfshirë edhe copa tullash.
Si pasojë e kësaj përplasjeje brutale, dy shtetas të identifikuar me inicialet S.L. dhe B.Ll., kanë mbetur të plagosur. Ata kanë marrë dëmtime të rënda, veçanërisht në zonën e kokës, dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta të Policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Uniformat blu kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për mbledhjen e provave materiale dhe sigurimin e kamerave të sigurisë, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij konflikti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




