Shisni drogë pranë shkollave në Durrës, në pranga 12 persona, mes tyre edhe organizatori
Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave të mesme në qytet, duke vënë në pranga 12 persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër. Operacioni policor u zhvillua në kuadër të aksionit të koduar “CLEANING 3”, pas hetimeve disa mujore.
Sipas Policisë, mes të arrestuarve është edhe organizatori i grupit, shtetasi F. A., 30 vjeç, i cili akuzohet jo vetëm për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, por edhe për një sërë veprash të tjera penale si “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese”, “Kontrabandë me mallra të ndaluara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave”, “Punësim i paligjshëm” etj.
Hetimet treguan se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë gjimnazeve të qytetit të Durrësit.
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 12 personat e ndaluar:
B. O. (32 vjeç), A. P. (24), E. Sh. (19), T. D. (36), F. C. (31), G. K. (27), I. H. (35), S. Sh. (58), I. D. (38), M. K. (29), V. Sh. (20), si dhe organizatorin F. A..
Për shtetasit M. K. dhe V. Sh. është vendosur gjithashtu dhe akuza për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi B. M., për të cilin vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.
Materialet hetimore i janë dërguar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




