Shkencat e Natyrës tre programe të riorganizuara, 6 programe të masterit në gjuhën angleze

Aktualitet | 1 vit më parë

Fakulteti i Shkencave të Natyrës do të ofrojë këtë vit të ri akademik 3 programe të riorganizuara në ciklin “Bachelor”, si: “Data Science dhe Inxhinieri Informatike”; “Inxhinieri Kimike”, e financuar totalisht nga biznesi”; si edhe “Inxhinieri dhe Kimia Ushqimore”.

Dekania e këtij fakulteti, znj. Eglantina Kalluçi, ka sqaruar se një pjesë e programeve të Shkencave të Natyrës ofrohen edhe në gjuhën angleze, si pasojë e interesit të shtuar që kanë studentët e huaj për të studiuar në Shqipëri.

Znj. Kalluçi ka theksuar gjithashtu se Shkencat e Natyrës ofrojnë edhe programin “Shkencat Natyrore Mjedisore”, ku studentët, në përfundim të tij, përfitojnë dy diploma.

“Këto janë programe të cilat vijnë jo vetëm si riorganizime, por edhe në kuadër të nevojës që ka tregu i punës për këta specialistë. Inxhinieria Kimike mbështetet 100% nga biznesi shqiptar për tarifat e studimit. Studentët do të kenë një bursë 100% të paguar nga biznesi. Ne ofrojmë një program ‘double degree’ me Universitetin e Tushas në Itali. Programi ‘Shkenca Mjedisore Natyrore’ është një program ndërdisiplinar.”, tha zonja Kalluçi.

Riorganizimet po vijojnë edhe në programet e nivelit master. Gjashtë programe të këtij niveli do të ofrohen këtë vit në gjuhën angleze, si rezultat i interesit në rritje të studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri.

“Në programet master, fokusi është ndërkombëtarizimi, pasi vitin e shkuar kemi pasur mbi 15 studentë të huaj që kanë kryer shkëmbime ‘Erasmus’ në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Për ta nxitur këtë proces, vitin që vjen kemi kthyer dy programe të tjera në gjuhën shqipe dhe angleze. Gjithashtu, kemi edhe katër programe të tjera ekzistuese.”, theksoi ajo.

Një vit më parë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës riorganizoi dy programe kryesore: Fizikën dhe Kiminë, të cilat sollën rezultate pozitive dhe një rritje të ndjeshme të kërkesës në këto degë studimi.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme