Shkodër, rënie e lehtë e qirave të banesave. Agjentët imobiliarë: Oferta më e lartë ka ndikuar në stabilizimin e tregut
Në këtë sezon verës, tregu i qirave të banesave në Shkodër paraqitet më i qëndrueshëm krahasuar me një vit më parë. Agjentët imobiliarë flasin për një rënie të lehtë të çmimeve ndikuar nga oferta e shtuar.
“Çmimet e qirave janë ndarë me dy kategori. Pallatet ekzistuese para viteve ‘90 variojnë nga 30 mijë lekë të reja dhe 25 mijë lekë ALL të reja për 1+1, 2+1 ekzistues. Ndërsa për 1+1 pallatet e reja fillojnë 30 mijë deri në 35 mijë lekë në varësi të investimit që ka brenda dhe 35 mijë deri në 45 mijë për 2+1 pallat i ri në varësi të pozicionimit dhe të investimit që ka shtëpia”, tha agjenti imobiliar Armando Lohja .
Ulja e çmimit të qirave këtë verë në Shkodër është më e dukshme te kontratat afatgjata, ku pronarët po tregohen më fleksibël për të siguruar qiramarrës të qëndrueshëm.
“Për tregun e qiramarrësve afatgjatë do të ketë një rënie me 10-15% ndoshta dhe 20% sepse njerëzit më tepër tentojnë me marrë një qiramarrës korrekt sesa të shohin fitimet që nxjerr Airbnb”, tha ai.
Sipas eksperteve të këtij tregu kjo situatë krijon më shumë mundësi zgjedhjeje për qytetarët dhe familjet që kërkojnë një banesë me qira, veçanërisht për periudha afatgjata, ndërsa nuk përjashtohet që gjatë muajve në vijim tregu të mbetet në të njëjtat nivele, nëse raporti mes ofertës dhe kërkesës nuk pëson ndryshime të ndjeshme.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




