Shpallet zi buke në qytetin e Gazës, OKB: Dështim i njerëzimit, armëpushim urgjent. Izraeli: Informacione të rreme

Botë | 1 vit më parë

Në Gaza është shpallur zia e bukës, ku mbi 500 mijë palestinezë po përballen me uri, varfëri dhe vdekje.

Komiteti Ndërkombëtar për Koordinimin dhe Mbështetje (IPC), teksa konfirmoi urinë në Gaza, tha se banorët po përballen me “kushte katastrofike” që pritet të përkeqësohen ën vijim nëse nuk hapen të gjitha pikat e rrugëve humanitare në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka cilësuar gjendjen në Gaza si një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu”.

Guterres theksoi se uria, e cila ka përfshirë qindra mijëra njerëz, nuk është vetëm një krizë ushqimore, por një “shembje e qëllimshme e sistemeve të nevojshme për mbijetesën njerëzore”.

Ai kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe akses të pakufizuar humanitar në Gaza për të shpëtuar jetët.

“Nuk mund ta lejojmë që kjo situatë të vazhdojë pa u ndëshkuar. Mjaft me justifikime. Koha për veprim nuk është nesër – është tani. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i menjëhershëm i të gjithë pengjeve dhe akses i plotë dhe i pakufizuar humanitar”, tha Guterres.

Edhe koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së, Tom Fletcher, gjithashtu kërkoi veprime urgjente, duke e cilësuar urinë në Gaza si një “turp për botën”. Ai drejtoi një apel të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë izraelite, duke kërkuar hapjen e kalimeve të furnizimeve në të gjitha zonat e Gaza-s dhe një armëpushim pa kushte.

“Kërkesa ime, lutja ime, kërkesa ime drejtuar Kryeministrit Netanyahu dhe kujtdo që mund ta kontaktojë: mjaft, armëpushim. Hapni të gjitha kalimet, në veri dhe në jug. Le të furnizohemi me ushqim dhe furnizime të tjera pa pengesa dhe në shkallën masive të kërkuar. Jepini fund hakmarrjes”, tha Fletcher.

Vdekjet nga kequshqyerja dhe uria janë në rritje, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, të verifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vetëm në 20 ditët e para të gushtit, pati 133 vdekje të atribuuara kequshqyerjes ose urisë, përfshirë 25 fëmijë.

Në korrik u regjistruan pothuajse 13,000 pranime të reja të fëmijëve për kequshqyerje akute, sipas të dhënave më të fundit nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Izraeli ka hedhur poshtë gjetjet e autoritetit kryesor botëror për krizat ushqimore, duke thënë se janë bazuar në informacione të rreme dhe të njëanshme.

Edhe Hamasi ka lëshuar një deklaratë duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe “veprime të menjëhershme nga OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit për të ndaluar luftën dhe për të hequr rrethimin”.

Gjithashtu kërkon që kalimet kufitare të hapen “pa kufizime për të lejuar hyrjen urgjente dhe të vazhdueshme të ushqimit, ilaçeve, ujit dhe karburantit”.

Hamasi akuzon Izraelin për përdorimin e “urisë si armë lufte”, të cilën e quan “krim lufte dhe krim gjenocidi sipas ligjit ndërkombëtar”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme