Shpella e Shkruar e Lepenicës pritet të shpallet monument kulture së shpejti
“Shpella e Shkruar” e Lepenicës ka marrë së fundmi vëmendjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe pritet së shpejti të shpallet monument kulture, ndërsa aktualisht ka vetëm statusin ‘Mbrojtje Paraprake’. Shpella gjendet në perëndim të fshatit Lepenicë, Komuna Brataj, në rrethin e Vlorës.
Sipas arkeologut Kriledjan Çipa ka qenë një bashkëpunim i drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Vlorë me Institutin e Arkeologjisë së Tiranës dhe Shkollën e Lartë të konservimit e Galicias në Spanjë, të cilët nisën një projekt kërkimor shkencor.
“Së fundmi është marrë vendimi nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale që është Shpella e Shkruar e Lepenicës, të vendoset në mbrojtje paraprake si rezultat i propozimit të bërë nga drejtoria rajonale e Trashëgimisë Rajonale Vlorë”, u shpreh arkeologu Kriledjan Çipa.
Shpella e shkruar e Lepenicës përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinj gëlqerorë. E ndodhur në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit kjo shpellë nga vendasit njihet si “Shpella e shkruar”. Shpella ka më shumë formën e guvës, por në muret e saj ka vizatime të hershme me vlera të mëdha arkeologjike, të cilat sipas arkeologut janë vlera që do tërheqin dhe turistë e vizitorë, si një atraksion për mbarë zonën.
“Garanton në një farë mënyre që në të ardhmen të bëhen investime te nevojshme për restaurimin e saj dhe nga ana tjetër të vijoj të jetë një monument atraktiv për turizmin lokal”, u shpreh arkeologu.
Mbrojtja e Shpellës së Shkruar të Lepenicës pritet të sjellë zhvillim të turizmit historik e natyror në gjithë zonën e Lumit të Vlorës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




