Shpërndarja e fletëve të votimit për diasporën, Rama: Vota e shqiptarëve ka hyrë përfundimisht në jetën tonë demokratike

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Marrja e fletës së votimit nëpërmjet postës nga një qytetar shqiptar që jeton dhe punon në Gjermani, është komentuar edhe nga kryeministri, Edi Rama, i cili, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se me këtë fakt dëshmohet se “vota e shqiptarëve ka hyrë përfundimisht në jetën tonë demokratike”.

“Sot, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani, votues në qarkun Dibër, ka marrë në shtëpi zarfin me fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve! NE E MBAJTËM FJALËN, TANI U TAKON SHQIPTARËVE TA PËRDORIN VOTËN E TYRE”, shkruan Rama.

Sipas tij, vota e shqiptarëve të Evropës dhe botës në këto zgjedhje është historike, jo vetëm në vetvete, po edhe sepse peshon sa vetë mundësia historike për ta bërë Shqipërinë tonë anëtare të Bashkimit Evropian, duke mbyllur negociatat me BE-në brenda 2027.

“VOTO 5, mu në mes të fletës së votimit, ku është kolona #PartiaSocialiste #EdiRama dhe jepe edhe ti dorën tënde për ta ngjitur flamurin më të bukur në botë në majën ku gjendet Shtëpia e Evropës së Bashkuar”, mbyll postimin Rama.

Pjesëmarrja në votime e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit tashmë ka nisur. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur të martën se në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Celibashit, ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të zgjedhjeve të 11 majit 2025. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, deri tani janë dorëzuar 71 536 zarfe.

Ku janë shpërndarë fletët e votimit?

KQZ njoftoi se deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarët nga qarqet Durrës, Berat, Dibër dhe Kukës, që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Britani e Madhe dhe SHBA.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme