Shpërthim dhe kërcënim me bombë në Mynih, mbyllet përkohësisht Oktoberfest

Botë | 1 vit më parë

Një seri ngjarjesh të rënduara tronditën sot kryeqytetin bavarez, duke nisur me një shpërthim të dyshimtë në veri të qytetit dhe duke kulmuar me mbylljen e përkohshme të festivalit Oktoberfest për shkak të një kërcënimi me bombë.

Policia mori një telefonatë emergjente nga banorët e lagjes Lerchenau, të cilët raportuan për shpërthime dhe zjarr. Në vendin e ngjarjes u gjet një furgon i djegur plotësisht dhe një burrë i plagosur pranë liqenit Lerchenauer, i cili ndërroi jetë pak më vonë.

Një ndërtesë banimi pranë u përfshi nga flakët dhe u urdhërua evakuimi i banorëve brenda një rrezeje prej 200 metrash. U mobilizuan mbi 100 zjarrfikës dhe forca të armatosura policore. Një shkollë e mesme në zonë u rrethua për siguri. Sipas autoriteteve, viktima është një banor gjerman nga Starnbergu, i dyshuar si autor i zjarrvënies. Apartamenti i tij u kontrollua nga policia dhe hetuesit ku u gjetën kurthe me mina dhe mjete shpërthyese. Dyshohet se i njëjti person ka dërguar edhe një kërcënim me bombë ndaj Oktoberfestit.  Mediat gjermane, përfshirë “Bild”, raportojnë se autori mund të ketë vendosur eksplozivë në shtëpinë e prindërve dhe më pas ka kryer vetëvrasje, por kjo nuk është ende konfirmuar zyrtarisht.

Policia po heton gjithashtu një deklaratë të postuar në faqen “indymedia.org”, ku një grup që pretendon se përfaqëson Antifën merr përgjegjësinë për disa zjarrvënie dhe aludon për një sulm. Autoritetet po ndjekin të gjitha pistat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme