Shqipëri-Gjermani, partneritet strategjik, Balla takon ambasadorin Bergner, theksohet mbështetja për BE

Politikë | 12 muaj më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ku u konfirmua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dypalëshe.

Balla, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se në qendër të diskutimit ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, projektet e bashkëpunimit, si dhe mbështetja e vazhdueshme dhe thelbësore që Gjermania i jep vendit tonë në procesin e integrimit evropian.

Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i partneritetit, ndërsa u diskutua veçanërisht për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar dhe nismave që synojnë zhvillimin ekonomik dhe institucional të Shqipërisë.

Gjermania, lider në mbështetje

Pas takimit, Taulant Balla theksoi rëndësinë e madhe të Gjermanisë në partneritetin me Shqipërinë.

“Gjermania renditet e para me mbështetjen e drejtpërdrejtë akorduar Shqipërisë. Sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë historik të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe,” shkruan Balla, duke nënvizuar se kjo vlen si në kuadër dypalësh, ashtu edhe në atë të organizatave ndërkombëtare.

Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e vijimit të dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë. Kreu i grupit socialist konfirmoi angazhimin e palës gjermane në rrugëtimin evropian të Tiranës.

“Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE,” përfundon deklarata e Ballës, duke konfirmuar aleancën strategjike që mbështet avancimin e vendit në rrugën e integrimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme