Shqipëria dhe Mali i Zi forcojnë bashkëpunimin kundër kontrabandës! Beja vizitë zyrtare në Podgoricë, takohet me homologen Vuçiniç

Aktualitet | 7 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare bilaterale në Mal të Zi, ku u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave të Malit të Zi, Maja Vuçiniç.

Takimi i mbajtur në Podgoricë rikonfirmoi marrëdhëniet pozitive mes dy administratave doganore, si dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë bisedimeve, palët u ndalën te rritja e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimi i procedurave për bizneset, si dhe forcimi i bashkëpunimit në iniciativa rajonale, përfshirë CEFTA dhe projektet për shkëmbimin elektronik të të dhënave.

Në fjalën e tij, Beja theksoi se bashkëpunimi ndërmjet administratave doganore është thelbësor për përmbushjen e standardeve të Bashkimi Evropian, duke ndihmuar njëkohësisht në lehtësimin e tregtisë dhe në forcimin e luftës kundër kontrabandës.

“Bashkëpunimi mes administratave tona doganore është kyç për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe për lehtësimin e tregtisë, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe luftën ndaj kontrabandës”, deklaroi Beja.

Të dyja palët vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin ekzistues dhe ranë dakord për ta intensifikuar atë më tej përmes operacioneve të përbashkëta, shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për integrimin evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme