Shqipëria do të presë në shkurt 2026 Forumin e Korridorit VIII – Spiropali: Projekt historik dhe strategjik për sigurinë Euro-Atlantike

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, nga selia e NATO-s në Bruksel, njoftoi përmes një postimi në rrjetin e saj social, se vendi do të mirëpresë në shkurt të vitit 2026 Forumin e Korridorit VIII.
Vendimi u dakordësua së bashku me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, si edhe me ministrat e jashtëm të Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Spiropali theksoi se Korridori VIII mbetet një projekt historik dhe strategjik për Shqipërinë dhe rajonin, me rëndësi të madhe politike, ekonomike, infrastrukturore dhe të sigurisë Euro-Atlantike. Sipas saj, ky korridor që lidh Adriatikun me Detin e Zi e pozicionon Shqipërinë si një nyje kyçe në zhvillimet rajonale dhe më gjerë.
“Shqipëria gati të mirëpresë Forumin e Korridorit VIII. Së bashku me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, dakordësuam me Ministrat e Jashtëm të Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë për mbajtjen në Tiranë të Forumit gjatë muajit shkurt 2026.
Për Shqipërinë, Korridori VIII mbetet një korridor historik dhe strategjik, me rëndësi politike, ekonomike, infrastrukturore, të sigurisë Euro-Atlantike që lidh Adriatikun me Detin e Zi, dhe e kthen Shqipërinë në një nyje me rëndësi në rajon dhe më gjerë”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




