Shqipëria drejt tregut europian, certifikime të reja rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë

Ekonomi | 12 muaj më parë

Rritja e konkurrueshmërisë së Shqipërisë dhe përgatitja e bizneseve për tregun europian ishin në qendër të Forumit të 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, organizuar nga Organizata e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, UBT dhe KASH.

“Fjala që përcakton përparësinë dhe mundësinë tonë është gjurmueshmëria. Ajo është siguria jonë për garanci ushqimore, besimin e konsumatorit dhe hyrjen në tregun europian”, tha Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Cilësia dhe standardet janë një çështje themelore për të ardhmen e ekonomisë sonë bujqësore. Sot standardet nuk janë më një kërkesë teknike, por ato janë një filozofi e re zhvillimi, një gjuhë e përbashkët e besimit dhe konkurrueshmërisë”, tha Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Në Kongresin e 5-të të Agrobiznesit, u theksua se cilësia është çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

“Standardet dhe cilësia janë themelësore për çdo hallkë të zinxhirit ushqimor. Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet europiane për të qenë pjesë e tregut të BE-së”, tha Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri.

Ndërkohë, sipas koordinatores kombëtare të UNIDO, bashkëpunimi publik-privat është një hap drejt përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.

“Shqipëria ka të gjitha potencialet që të rrisë konkurrueshmërinë dhe të mbrojë konsumatorët, të ndërtojë më shumë besim në produktet e saj, brenda dhe jashtë vendit”, tha Elvana Zhezha, Koordinatore Kombëtare e UNIDO & GQSP në Shqipëri.

Përmes Programit Global për Cilësi dhe Standardet, bizneset shqiptare do të arrijnë certifikime ndërkombëtare. Kjo mbështetje u vjen në ndihmë prodhuesve vendas për të përmirësuar produktet e tyre dhe për të qenë më konkurrues në tregjet e huaja.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme