Shqipëria e vitit 1921 në Korçë, ekspozita fotografike nga Eugene Pittard

Kulturë | 4 muaj më parë

Fotografitë e realizuara në Shqipëri në vitin 1921 nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard janë sjellë për publikun korçar në një ekspozitë të veçantë të çelur në Galerinë e Arteve Digjitale.

Ekspozita prezanton imazhe që dokumentojnë jetën e përditshme, kulturën, veshjet tradicionale dhe portretet e shqiptarëve të fillimshekullit XX, duke sjellë një udhëtim të rrallë në kohë përmes objektivit të studiuesit zviceran.

Kuratori Elton Koritari vlerësoi kontributin e Pittard në dokumentimin e historisë dhe identitetit shqiptar, duke theksuar se fotografitë e tij kanë ruajtur momente të veçanta të jetës në Shqipërinë e një shekulli më parë. Ai solli në vëmendje edhe lidhjen e studiuesit me vendin tonë, si dhe rolin e tij në themelimin e Kryqit të Kuq Shqiptar.

“Ka themeluar kryqin e kuq shqiptar, ka sjellë ndihmat e para në Shqipëri, ambasador i mrekullueshëm por në e kemi trajtuar si artist. Në vizitën e tij të dytë në Shqipëri mori aparat fotografik dhe shkrepi foto. Kemi Korçën, Trenin, Prespën. Kjo është punë dyvjeçare, dashuria e tij dhe e bashkëshortes së tij ka qenë aq e madhe sa u kthyen si ambasadoret shqiptare jashtë. E shoqja beri një libër “Shqipëria ime”. Ka shënuar thellë dinjitetin shqiptar në atë kohë. Dashuri e pakushtëzuar themeloi pavijonin e Shqipërisë në Gjenevë “, tha ai.

Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja zvicerane në Shqipëri, e cila e cilësoi ekspozitën si një dëshmi të marrëdhënieve të hershme dhe të mira mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Ekspozita sjell për publikun një pjesë të rrallë të memories historike e kulturore shqiptare, përmes objektivit të një studiuesi që e vështroi vendin me interes dhe respekt.

Gazetare: K. Koçi   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme