Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme dhe më të dashura për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe duke nisur rrugëtimin e shtetit shqiptar të pavarur.

Si çdo vit, vendi është mbushur me atmosferë festive. Qytetet kryesore janë zbukuruar me flamuj, ndërsa institucione kulturore dhe arsimore kanë organizuar aktivitete të ndryshme, koncerte, ekspozita dhe homazhe për figurat historike që kontribuuan në lirinë e vendit. Nëpër sheshe, rrugë dhe shëtitore, ngjyrat kuq e zi dominojnë duke e shndërruar këtë ditë në një festë të identitetit kombëtar.

28 Nëntori është i shumëfishtë në historinë shqiptare. Përveç shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, kjo datë lidhet edhe me ngjarjen e vitit 1443, kur heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin shqiptar në Krujë, duke shënuar fillimin e luftës së tij për çlirimin e trojeve shqiptare nga sundimi osman.

E njohur si Dita e Flamurit, kjo festë bashkon shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në diasporën e gjerë. Edhe në Kosovë, 28 Nëntori është festë zyrtare, e shpallur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, duke dëshmuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj dite.

Sot, në 113-vjetorin e Pavarësisë, shqiptarët kujtojnë historinë, nderojnë sakrificat dhe festojnë simbolin që i bashkon, flamurin kuq e zi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme