Shqipëria nis transaksionet e para në SEPA, Rama: Kosto më e lirë, vetëm vitin e parë kursehen 20 mln euro

Ekonomi | 1 vit më parë

Këtë të martë hyri në fuqi anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, duke i lejuar qytetarët dhe bizneset shqiptare të kryejnë transferta në euro me vendet e Bashkimit Evropian me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.

Kryeministri Edi Rama e përshëndeti këtë moment si një arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit evropian, ndërsa tha se vetëm vitin e parë do të kursehen nga transaksionet rreth 20 milionë euro.

“Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE. Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit – sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare”, shkruan Rama.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA sjell ulje të menjëhershme tarifash dhe shpejtësi më të madhe në transfertat ndërkombëtare. Komisione shumë më të ulëta drejt 40 shteteve të tjera pjesë e SEPA, ku tarifat për transfertat në euro bien ndjeshëm, duke u bërë njësoj si ato për transfertat brenda Shqipërisë.

SEPA përfshin 41 shtete, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, si edhe Zvicrën, Britaninë e Madhe, Monakon, Andorrën dhe Vatikanin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme