Shqipëria prezanton strategjinë për marinat inteligjente, arkitekti i njohur italian i bashkohet MIE
Në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare për Marinat Inteligjente dhe të Qëndrueshme, e zhvilluar në Monako, Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi strategjinë kombëtare të Shqipërisë për zhvillimin e marinave, në bashkëpunim me arkitektin italian, Luca Dini.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, Balluku ka bërë të ditur arkitekti i njohur, Luca Dini i është bashkuar skuadrës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE, për hartimin e Masterplanit Kombëtar për strategjinë e zhvillimit të marinave.
Balluku dhe Dini theksuan se projekti synon ta kthejë bregdetin shqiptar në një destinacion të nivelit të lartë për turizmin detar, duke e pozicionuar Shqipërinë si pjesë të një rrjeti të rëndësishëm mesdhetar të marinave, i cili përfshin vendet fqinje si Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia.
“Qëllimi është që Shqipëria të mos mbetet në periferi, por të integrohet në itineraret kryesore të yachting-ut dhe turizmit elitar në rajon.”
Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e përvojës dhe ekspertizës së Dinit, duke e cilësuar si një vlerë të pazëvendësueshme për ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe konkurrues të turizmit detar, në përputhje me standardet më të mira europiane.
“Industria detare nuk mund të jetë vetëm komerciale apo tregtare. Ajo lidhet ngushtë me turizmin dhe për të gjetur çelësin e suksesit duhen mjeshtra të mëdhenj, si Luca Dini,” u shpreh Balluku.
Gjatë prezantimit të tij, Dini theksoi se Shqipëria ka fatin të nisë nga një “fletë bosh”, duke krijuar një koncept të ri të marinës — jo si një vend parkimi për anije, por si një pikënisje për eksplorimin e vendit.
“Duhet të mendojmë për një përdorim inteligjent të bregdetit, me respekt për traditat e vendit dhe për të krijuar atë që ende nuk ekziston në botën e yachting-ut: një marinë të shpërndarë,” tha Dini.
Ai shtoi se marina duhet të jetë një portë për të zbuluar fshatrat, qytetet dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer përvojën e udhëtimit në një eksperiencë autentike dhe kulturore.
Strategjia e re kërkon një ndryshim të thellë në mënyrën si investitorët i qasen projekteve të marinave. Sipas Dinit, investitorët duhet të përqafojnë vizionin dhe projektin, jo të imponojnë metra katrorë apo shifra.
“Pronari i yacht-it sot kërkon përvoja, jo më vende ku të tregojë pasurinë. Ai kërkon të përjetojë kulturën dhe traditën e vendit ku mbërrin,” tha Dini.
Një tjetër sfidë e rëndësishme është krijimi i një grupi të ri profesionistësh që do të operojnë në marinat e reja.
Ministrja Balluku theksoi nevojën për shkolla të specializuara që do të përgatisin të rinjtë për një industri që kërkon shërbim të nivelit të lartë dhe njohuri ndërkombëtare.
Kjo është një mundësi e madhe për Shqipërinë që të rritet shpejt dhe në një nivel shumë të lartë,” tha Dini, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit profesional në këtë sektor.
“Ka nevojë për vende dhe hapësira të dedikuara yachting-ut. Nuk është më si dikur. Dikur ekuipazhet ishin shpesh banorë lokalë që gjatë verës bënin sezonin me zotërinjtë e pasur në bord. Nuk është më kështu. Kjo ishte bota e viteve ’70, nuk është aspak më kështu. Sot kemi nevojë për profesionistë, profesionistë të shërbimit dhe prandaj ata duhet të edukohen në një nivel ndërkombëtar. Kjo është e rëndësishme. Duhet dhe do të bëhet një vend ndërkombëtar me shkolla ndërkombëtare dhe kjo i jep mundësi vendit të rritet shpejt dhe në një nivel shumë të lartë.”
Në përfundim të prezantimit, Ministrja Balluku e cilësoi bashkëpunimin me Luca Dinin si një nder për Qeverinë shqiptare dhe një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një industrie të re elitare.
“Pas ndryshimeve që sollën suksesin e dekadës së kaluar, tani është koha e marinave elitë. Shqipëria ka potencialin për t’u bërë një destinacion i veçantë në Mesdhe,” përfundoi Balluku.
Ky projekt ambicioz pritet të sjellë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe një transformim kulturor dhe turistik të bregdetit shqiptar, duke e pozicionuar vendin si një pikë referimi në hartën e turizmit detar europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




