Shqipëria tërheq më shumë të huaj për punë dhe jetesë, numri më i madh i të punësuarve vijnë nga India, pasuar nga Filipinet

Profili Vjetor Kombëtar i Migracionit për vitin 2024, i publikuar nga Ministria e Brendshme, ofron një analizë të detajuar mbi emigracionin shqiptar dhe trendet e rritjes së të huajve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion për jetesë dhe punë. Dokumenti vë në pah një rritje të ndjeshme të numrit të të huajve me leje qëndrimi, duke sinjalizuar një interes në rritje për vendin tonë, i nxitur nga faktorë ekonomikë, socialë dhe gjeopolitikë.
Në fund të vitit 2023, Shqipëria regjistroi 21,460 të huaj me leje qëndrimi, një rritje prej 18.2% krahasuar me vitin paraprak. Ky trend pozitiv u vijua edhe në vitin 2024, ku numri i tyre arriti në 21,940, me një rritje prej 2.24%.
Kjo rritje modeste, por e qëndrueshme, tregon një interes të vazhdueshëm të shtetasve të huaj për të qëndruar në Shqipëri, për shkak të mundësive të punësimit, arsimimit dhe politikave migratore gjithnjë e më të hapura, shkruan rtsh.al.
Struktura gjinore dhe motivacionet e migrimit
Analiza e të dhënave tregon një dominim të meshkujve (63.8%) mes të huajve me leje qëndrimi, ndërsa femrat përbëjnë 36.2%. Kjo disbalancë sugjeron se motivet kryesore për migrim drejt Shqipërisë lidhen me mundësi punësimi në sektorë ku meshkujt janë më të përfaqësuar, si dhe me plane individuale apo profesionale që paraprijnë bashkimin familjar.
Migracioni i rregullt për punësim
Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024–2030 dhe Plani i saj i Veprimit 2024–2026, synojnë përafrimin me standardet e BE-së dhe integrimin e emigrantëve. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA), gjatë vitit 2024 janë miratuar 11,224 aplikime online për leje unike qëndrimi dhe punë për shtetas të huaj.
Numri më i madh i të huajve të punësuar vijnë nga India (37%), pasuar nga Filipinet (24%) dhe Turqia (22%). Egjipti gjithashtu përbën një grup të rëndësishëm (17%).
Sektori i akomodimit dhe shërbimeve ushqimore kryeson kërkesën për punonjës të huaj (rreth një e treta e miratimeve), i ndjekur nga ndërtimi dhe tregtia.
Mbi 92% e miratimeve janë për kontrata pune, duke treguar mbështetjen kryesore te format tradicionale të punësimit. Shërbimet vullnetare, punësimi me kualifikim të lartë dhe të vetëpunësuarit përbëjnë një përqindje më të ulët.
Tendencat në aplikimet për leje qëndrimi
Në vitet 2023-2024, vërehen ndryshime në motivet kryesore të aplikimit për leje qëndrimi:
Aplikimet për punëmarrës janë rritur ndjeshëm (nga 6,866 në 7,613), duke treguar një interes më të lartë për punësim në Shqipëri.
Aplikimet për bashkim familjar janë ulur (nga 2,249 në 2,019).
Aplikimet për vetëpunësim/investim kanë rënë (nga 662 në 584).
Aplikimet për studim janë rritur (nga 815 në 877), duke treguar interes të vazhdueshëm nga studentët e huaj.
Janë lëshuar leje për arsye humanitare dhe të tjera, si dhe disa raste nën iniciativën Open Balkan.
Lejet e përhershme të qëndrimit kanë shënuar një ulje.
Prania e shtetasve nga BE dhe Ballkani Perëndimor
Në vitin 2024, 1,805 shtetas të huaj janë deklaruar për qëllime punësimi, prej të cilëve 1,314 nga vendet e BE-së (72.8%) dhe 491 nga Ballkani Perëndimor (27.2%).
Kjo, sipas dokumentit, tregon një dominim të shtetasve nga vendet e BE-së në tregun shqiptar të punës. Ndër shtetasit e BE-së, italianët kryesojnë me 678 deklarime, ndërsa nga Ballkani Perëndimor, Kosova ka numrin më të lartë të deklarimeve (229).
Të dhënat tregojnë se emigrantët nga BE-ja janë më të shpërndarë në sektorë të ndryshëm dhe kanë angazhime më të avancuara profesionale, ndërsa ata nga Ballkani Perëndimor janë më të përfaqësuar në sektorë bazë. Ky raport ofron një pamje të qartë të dinamikave migratore, duke nxjerrë në pah nevojën për politika që nxisin diversifikimin dhe integrimin e fuqisë punëtore të huaj.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




