Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë uron Pavarësinë e Shqipërisë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) ka përcjellë sot një mesazh urimi për Shqipërinë me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, SHAPE ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të vendit tonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke theksuar se kontributet e Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s e bëjnë Aleancën më të fortë dhe më të gatshme për t’u mbrojtur nga çdo kërcënim.

“Dita e Pavarësisë së aleatëve shqiptarë është një ditë që festohet edhe brenda Aleancës. Me vigjilencën dhe kontributet e tyre të vazhdueshme, NATO qëndron e fortë dhe e gatshme për t’u mbrojtur nga çdo gjë. Gëzuar për ty, Shqipëri!”, theksohet në urimin zyrtar.

Kjo ditë e shënuar përkujton shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, kur Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, vulosi aspiratat shekullore të shqiptarëve për liri dhe shtet të pavarur.

Për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, 28 Nëntori është një simbol i qëndresës, unitetit dhe identitetit kombëtar, që lidhet edhe me ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 1443.

Festimet e sotme për 113-vjetorin e Pavarësisë marrin një vlerë të veçantë, teksa Shqipëria shihet si një aleat i besueshëm dhe aktiv në strukturat euroatlantike, duke dëshmuar se rruga e nisur në Vlorë më 1912 vazhdon të mbajë gjallë idealin e një shteti modern dhe të integruar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme