Shtëpia e Bardhë zbardh detaje: Trump–Netanyahu: Diskutuan sulmet ndaj Iranit

Shtëpia e Bardhë zbardh detaje nga telefonata Trump–Netanyahu: Presidenti amerikan ndoqi sulmet në Iran nga Mar-a-Lago
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku është diskutuar mbi sulmet ajrore ndaj Iranit.
Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se Trump do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në Iran, ndërsa konfirmoi se presidenti e ndoqi zhvillimin e operacioneve gjatë natës nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, së bashku me ekipin e sigurisë kombëtare. Zyra e kryeministrit izraelit publikoi gjithashtu një fotografi të Netanyahut gjatë telefonatës, duke konfirmuar komunikimin mes dy liderëve.
Sulmet kanë përfshirë goditje ndaj bazave ushtarake iraniane, ndërsa Irani ka reaguar duke sulmuar bazat amerikane, të cilat i cilëson si veprime vetëmbrojtjeje.
Leavitt shtoi se para sulmeve, sekretari i shtetit Marco Rubio ka njoftuar anëtarët e “Bandës së Tetë” – një grup prej tetë udhëheqësish të Kongresit që, sipas ligjit, informohen mbi çështjet e inteligjencës së klasifikuar nga dega ekzekutive. Ky grup përfshin udhëheqësit e dy partive në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe kryetarët dhe anëtarët e pakicës të komiteteve për inteligjencën.
Leavitt konfirmoi se Trump do të vazhdojë të ndjekë nga afër situatën gjatë gjithë ditës, në koordinim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
/rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




