Shtohen mashtrimet nga interneti, Brumbulli: Kujdes me të dhënat tuaja bankare

Shoqata e Bankave sinjalizon një shtim të numrit të krimeve kompjuterike nëpërmjet internetit dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë një kujdes më të madh në përdorimin e të dhënave personale dhe bankare në internet.
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, tregon se rastet e raportuara ndahen në tri tipologji kryesore.
“E para është oferta joshëse nga tregtarë të rremë. Kemi tregtarë të rremë, ku paraqitja vjen sikur është një dyqan që e bën, por në fakt është thjesht një imazh i atij dyqani dhe më pas janë të gjitha faqet e rreme. Dhe e treta është mesazhet joshëse. Marrësi i mesazheve duhet të kryejë dhe disa veprime të tjera për të përfituar edhe shërbime të caktuara”, tha ai.
Sipas Brumbullit, vërehet një sofistikim i krimit në kohët e fundit.
“E veçanta e këtyre skemave në dallim me vitet e mëparshme është se janë sofistikuar nga pikëpamja estetike dhe asaj që projektohet. Veprimi realisht kryhet si për çdo veprim tjetër të vërtetë, vetëm se faqja është e rremë dhe fondet adresohen aty ku duan mashtruesit”, theksoi Brumbulli.
Shoqata ka disa rekomandime për përdoruesit në rastet kur dyshohet apo konstatohet se keni rënë pre e këtyre veprimeve.
“Të qëndrojmë të gjithë sëbashku duke i fshirë, duke mos i pranuar, duke sinjalizuar Bankën si masa të para emergjente për të mos rënë pre e këtyre skemave mashtruese”, apeloi ai.
Gjithashtu, Shoqata u kërkon përdoruesve që në asnjë rast të mos japin të dhënat e tyre personale dhe bankare kur këto kërkohen nëpërmjet email, SMS, ose telefonatash, pasi me shumë mundësi këto janë përpjekje për mashtrim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




