Shtyhet në GJKKO seanca paraprake ndaj Metës, Cakrani: Paraqitja e provave të reja, e rrezikshme. Vijojmë betejën për largimin e gjyqtares Gjoka

Aktualitet | 1 vit më parë

Është shtyrë sërish seanca paraprake për dosjen e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Shkak është bërë mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit, ish-bashkëshortes së Metës. Seanca e radhës, e cila pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme, do të mbahet më 11 nëntor.

Në një deklaratë për medie, Kujtim Cakrani, avokati i Ilir Metës, bëri me dije se organi i procedurës ka paraqitur prova të reja, duke e konsideruar këtë lëvizje si antikushtetuese.

Po ashtu, Cakrani vlerësoi si tepër të rrezikshëm vendimin e gjyqtares së çështjes Irena Gjoka, duke vazhduar pezullimin e afateve të paraburgimit për Metën.

“Sjell prova të reja në këtë seancë. Prova të cilat ajo i kishte administruar më 1 tetor e më pas. Që do të thotë se organi i procedurës edhe pse hetimet kanë përfunduar, ata vazhdojnë të kryejnë hetime. Kjo është shumë e rrezikshme sa i përket Kodit të Procedurës dhe ligjit në tërësi. Sepse nëse mbyllen hetimet, organi i procedurës përfundon aty aktivitetin e tij hetimor. Kjo që kanë bërë prokurorët e SPAK është shumë e rëndë e Kushtetutës. Ne do njihemi me provat e reja, do ua vëmë në dispozicion. Kjo ka krijuar debat dhe tension në sallë. Ne kemi kërkuar llogari në kuptimin juridik përse organi i procedurës vijon hetimet kur çështja është në gjykatë. Ne kemi pasur tension sot me gjykatën, me gjyqtaren me të cilën ne do nisim betejën.

Kjo gjyqtare sot ka marrë një vendim të rrezikshëm duke vazhduar pezullimin e afateve të paraburgimit për presidentin Meta. Vërteton dhe njëherë se zonja Gjoka, nuk është gjyqtare e aftë dhe juridikisht, por e kapur politikisht dhe e shantazhueshme juridikisht nga ana e SPAK për faktet që i dini, që është në hetim. Do vazhdojmë betejën për largimin e kësaj gjyqtare e cila ka kompromentuar që në fillim këtë proces”, deklaroi Cakrani.

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024 dhe ka bërë gjithashtu ankim edhe në Gjykatën e Lartë, e cila do ta shqyrtojë kërkesën më 9 tetor të këtij viti. Dosja e tij përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme