Shtyhet seanca për dosjen “Partizani”. Të pandehurit kërkuan pavlefshmëri të akteve, SPAK kërkon kohë

Shtyhet seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, për më 13 tetor në orën 12:00.
Ky ishte vendimi që morën togat e zeza, pasi vetë prokuroria e posaçme kërkoi më shumë kohë.
Ndërsa mbrojtja e Berishës dhe Malltezit ripërsëritën kërkesën e tyre për pavlefshmëri të akteve hetimore.
“Tashmë po i hapen petët lakrorit dhe prokurori i dëgjoi. I dëgjoi edhe javës tjetër dhe kërkoi kohë që të përgatitet, se mbase i bën të vlefshme. Të gjitha provat që këta kanë sjellë në gjykatë, përveç mungesës së faktit penal, por edhe ato që këta i konsiderojnë prova, janë absolutisht të pavlefshme dhe nuk mund të vihen në themel të një vendimi fajësie,” tha avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.
“Seanca e sotme vijoi me një kërkesë paraprake. Natyrisht në kërkesat paraprake u theksua që nuk ka fakt penal, se të zhvillojë njeriun pronën e vet nuk është vepër penale,” u shpreh Malltezi.
As këtë të hënë vetë Berisha nuk ishte i pranishëm në sallë, por u përfaqësua nga avokati i tij.
Lidhur me kërkesat e avokatëve të të akuzuarve për pavlefshmëri të akteve, prokurori i dosjes, Arben Kraja, tha se i duhet kohë për t’u shprehur, duke bërë që seanca të shtyhej.
Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, ku Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, ndërsa Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




