Siguria gjatë verës, drejtuesit e policisë në Kukës prezantojnë prioritetet dhe masat
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës u zhvillua një konferencë për shtyp, ku Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë, Ardrit Elmazi, dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Arben Alika, prezantuan rezultatet e punës për periudhën maj–qershor, si edhe masat e marra për përballimin e sezonit veror.
“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 137 vepra penale të ndryshme prej të cilave janë zbuluar 97.8%. Për këto vepra penale janë identifikuar 138 autorë nga të cilët 15 janë arrestuar, 119 janë proceduar në gjendje të lirë dhe katër janë shpallur në kërkim”, u shpreh Ardit Elmazi.
Elmazi u ndal gjithashtu te siguria rrugore, duke theksuar se janë shtuar kontrollet në akset kryesore dhe janë marrë masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
“Policia rrugore Kukës ka evidentuar 29 raste të shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore. Gjatë periudhës analizuese kanë ndodhur katër aksidente rrugore si pasojë e të cilave janë dëmtuar lehtë katër shtete”, tha Arben Alika, Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës.
Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Arben Alika, deklaroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke menaxhuar fluksin në pikat e kalimit kufitar dhe duke rritur nivelin e sigurisë.
“Me nisjen e sezonit turistik veror 2026 ka ndërmarrë dhe zbaton një sërë masash konkrete për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e flukseve në pikat e kalimit kufitar si dhe në rritjen e sigurisë në zonat turistike ujore”, tha ai.
Në përfundim të konferencës, drejtuesit e dy drejtorive theksuan se do të vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit veror
Gazetar: D. Shehu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




