Siguria rrugore në Shkodër, numri i aksidenteve dhe viktimave bie gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit
Shkodra është një nga qarqet me lëvizjen më të madhe të automjeteve dhe udhëtarëve në vend, për shkak të pikave kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit, por edhe fluksit të turistëve drejt bregdetit dhe Alpeve. Shefi i Policisë Rrugore Shkodër, Ermal Zenelaj, thotë se gjatë sezonit veror kontrollet janë përqendruar në akset më të ngarkuara, me synim rritjen e sigurisë rrugore.
“Dihet se Shkodra është një arterie e rëndësishme ku ka lëvizje nga e gjithë Europa, sidomos në pikat doganore të Hanit të Hotit dhe Muriqanit. Zonat që kanë prezencë të lartë turistësh janë bregdeti i Velipojës, Alpet Shqiptare, Thethi, Shiroka, Razma, Komani dhe zona të tjera, ku ka fluks të shtuar turistësh dhe shtetasish shqiptarë që vijnë për pushime apo për vizita. Ne kemi marrë masat e nevojshme në kuadër të sigurimit të rrugëkalimeve, duke angazhuar shërbimet e Policisë Rrugore, me qëllim që çdo qytetar dhe përdorues i rrugës të lëvizë sa më i sigurt dhe sa më komod”, u shpreh Zenelaj.
Sipas komisar Zenelaj, qëllimi i Policisë Rrugore nuk është vendosja e gjobave, por parandalimi i shkeljeve dhe ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve.
“Do të dëshironim të mos vendosnim asnjë gjobë, nëse do të kishim një ndërgjegjësim më të lartë të qytetarëve. Megjithatë, nga eksperienca jonë konstatojmë se ka ende një numër të konsiderueshëm shkeljesh. Këto shkelje lidhen kryesisht me sigurinë rrugore, si tejkalimi i kufirit të lejuar të shpejtësisë, parakalimet e gabuara, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, drejtimi pa leje drejtimi, kryerja e manovrave të gabuara, si dhe shkelje të tjera që rrezikojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës”, tha ai.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, nga pikat kufitare të qarkut Shkodër kanë kaluar rreth 2.14 milionë shtetas dhe 950 mijë automjete. Në të njëjtën kohë, numri i aksidenteve rrugore krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka rënë nga 55 në 34, po ashtu edhe numri i viktimave nga 13 në 4 ndërsa aksidentet me dëme materiale janë rritur nga 208 në 241.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




