Siguria ushqimore- Shërbimi Veterinar në Gjirokastër shton kontrollet në thertore 

Sociale | 1 vit më parë

Për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e mishit që theret dhe tregtohet në qytetin e Gjirokastrës, shërbimi veterinar i Bashkisë ka intensifikuar kontrollet në thertore dhe në njësitë tregtare. Aktualisht në territorin e Gjirokastrës operojnë dy thertore, ku kryhen therje të rregullta të kafshëve për konsum, nën mbikëqyrjen e specialistëve veterinarë.

“Mishi që theret në thertore është i garantuar 100% sepse kontrollohet nga veterineri çdo ditë, qoftë gjendja shëndetësore e kafshës, qoftë edhe cilësia e mishit. Mishi del i shoqëruar me raport veterinar dhe në të gjitha njësitë e tregtimit të mishit ne kemi vajtur shumë herë dhe kemi parë që çdo gjë është në rregull konform ligjit, mishi është i vulosur dhe i shoqëruar me raportin veterinar”, deklaroi Adelina Haxhiaj, përgjegjëse e Sektorit të Veterinarisë, Gjirokastër.

Sipas autoriteteve përkatëse, kontrollet e shtuara lidhen gjithashtu me masat paraprake të marra për shkak të rasteve të raportuara me sëmundjen e murtajës në disa zona të vendit, edhe pse në Gjirokastër nuk është evidentuar asnjë rast.

“Kontrollet tona kanë qenë çdo ditë. Kemi ngritur grup pune për shkak të sëmundjes së murtajës dhe kemi shkuar çdo ditë në thertore dhe dyqanet e mishit”, tha Haxhiaj.

Autoritetet lokale bëjnë thirrje për bashkëpunim me konsumatorët dhe tregtarët, duke theksuar rëndësinë që ka blerja e mishit vetëm në pika të autorizuara dhe të kontrolluara, për të ruajtur shëndetin dhe sigurinë publike.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme