Situata gripale në vend, problemet me mushkëritë të shkaktuara nga gripi stinor
Gripi është një sëmundje respiratore, e cila mund të ketë pasoja serioze, veçanërisht për mushkëritë.
Situata virale e ngarkuar në muajt e parë të vitit për disa persona ka kaluar me komplikime, duke prekur sistemin respirator.
“Problematikat janë nga më të lehtat, një rrufë e lehtë, deri në pneumoni, bronkopneumoni dhe komplikacione të rënda tek të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, sëmundje renale, diabet, të cilët e kalojnë shumë më keq se personat e shëndetshëm. Marrja e antibiotikëve dhe shtrimet në spital për këto raste kanë qenë vendimtare, mbasi nuk kanë mundur të mjekohen dot në shtëpi ose ambulatorisht,” thotë shefi i Shërbimit të Pneumo-Ftiziatrisë, Samuel Kristo.
Për t’u mbrojtur nga gripi, mjekët rekomandojnë vaksinimin kundër gripit si dhe zbatimin e një sërë masash për t’u mbrojtur.
“Këshillat janë të njëjtat: duhet gjithmonë distancim, mbajtja e maskës, larja e duarve, mosmarrja pjesë në aktivitete ku ka njerëz të sëmurë me grip. I rëndësishëm është edhe vaksinimi kundër virozave sezonale,” shton Dr. Kristo.
Më të rrezikuar nga gripi ngelen fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, shtatzanat dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si dhe personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo diabet.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




