Situatë e përmirësuar në jug, operacione nga toka dhe ajri tek Syri i Kaltër e Finiq

Aktualitet | 1 vit më parë

Prej gati një jave, i gjithë jugu është përfshirë nga flakë të mëdha zjarri, ku Finiqi ka qenë bashkia më e prekur.

Zjarret kanë lënë pas dhjetëra shtëpi të shkrumbuara, mijëra rrënjë ullinj dhe vreshta të djegur, si edhe objekte kulti.

“Situata në ditën e sotme është mjaft e vështirë për t’u menaxhuar nga ana e zjarrfikëseve. Që nga orët e para të mëngjesit është duke fluturuar një aeroplan i Forcave të Armatosura, i cili na ndihmoi jashtëzakonisht për të ndalur përparimin e zjarrit drejt Parkut të Syrit të Kaltër, por edhe drejt fshatit Pec. Vatra tjetër ka qenë në zonën e Leshnicës, sepse flasim për një perimetër zjarri që i ka kaluar 50 kilometrat. Ndodhet në kufi të bashkisë së Finiqit dhe bashkisë së Dropullit,” deklaroi Kristo Kiço, nënprefekt i Qarkut Vlorë.

Pasditen e djeshme, zjarri është përhapur edhe në Parkun Kombëtar të Syrit të Kaltër, ku është dashur të evakuohen turistët dhe Policia ka bllokuar aksin Sarandë–Muzinë–Gjirokastër. 

Paralelisht, forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë janë ndihmuar edhe nga një avion Canadair dhe vazhdojnë të punojnë për shuarjen e zjarreve në zonat ku ende ka vatra aktive, të cilat rrezikojnë të përhapen.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme