Situatë e rëndë me zjarrin në Dukat, rrezikohet Parku i Llogarasë, Vengu viziton zjarrfikësit e lënduar në spital: Kemi kërkuar ndihmën e BE-së

Një situatë tejet e rëndë me zjarret është shënuar në malin e Dukatit në Vlorë, ku flakët kanë vazhduar prej disa ditësh dhe po rrezikojnë seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë. Për shkak të pamundësisë për ta vënë situatën nën kontroll me mjetet në dispozicion, autoritetet lokale kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri.
Për këtë arsye, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuar ndihmën e BE-së. Ai vizitoi në spitalin e Vlorës tre efektivë zjarrfikës që pësuan lëndime gjatë betejës me flakët dhe fatmirësisht janë në gjendje të stabilizuar.
“Të tre zjarrfikësit e bashkisë Vlorë ishin të angazhuar për të kufizuar perimetrin e flakëve në fshatin Dukat, ku operacioni vijon. Ka qenë përpjekje e vështirë, në një terren të thepisur. Të tre efektivët kanë ndjerë shqetësime të frymëmarrjes. Janë transferuar në emergjencën e spitalit të Vlorës, gjendja është e stabilizuar. Janë ditë që do vijojnë të jenë të vështira, sa i takon zjarreve. Në ditët në vijim do kemi mbështetje nga vendet aleate. Në mbarë territorin jemi në gatishmëri”, theksoi ministri
Ministri paralajmëroi se ditët në vijim do të jenë shumë të vështira për shkak të temperaturave të larta që pritet të arrijnë kulmin të enjten dhe të premten.
“Jemi në gatishmëri të plotë. Do të vijojmë të bëjmë një raport situates përsa i përket dislokimit të të gjitha forcave këto ditë ku parashikohet piku i temperaturave,” u shpreh Vengu.
Zjarrfikësi Luan Kapaj, një prej të lënduarve, ka deklaruar nga spitali se situata është kritike dhe ka bërë thirrje për masa të menjëhershme.
“Zjarri ka përmasa dhe po spostohet në drejtim të Llogarasë. Për mendimin tim, si specialist, zjarri rrezikon parku nëse nuk do merren masa,” tha ai, duke shtuar se terreni i thepisur e bën të pamundur ndërhyrjen efektive me forcat në tokë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







