Situatë e rënduar në Gjirokastër, evakuohen disa familje, disa fshatra të izoluar. Probleme serioze në rrugën e Zagorisë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë jugun e vendit kanë krijuar situata të vështirë në Qarkun e Gjirokastrës pasditen e sotme (7 janar 2026). Prefekti i Qarkut ka bërë të ditur përmes një raporti zyrtar të orës 18:00 se është dashur ndërhyrja për evakuimin e banorëve në zonat e rrezikuara të qytetit, ndërsa disa akse rurale janë bllokuar.

Në Bashkinë Gjirokastër,dy banesa në fshatin Labovë e Zhapës, njësia administrative Odrie, janë evakuuar për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dherave. Të izoluara mbeten fshatrat Dhoksat dhe Tërbuq, si dhe rruga drejt Krinës, Tranoshishtit dhe Saraqinishtit. Në fshatin Lazarat, bëhet me dije se ka dalë nga shtrati përroi i Aliqit. Bashkia dhe Ministria e Mbrojtjes do të nisin nesër punën për normalizimin e tre rrugëve të bllokuara. Ndërkohë, situata në qytetin e Gjirokastrës po vjen duke u stabilizuar, me ndihmën e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të cilat kanë larguar gurët nga rrugët kryesore.

Në Bashkinë Libohovë, situata është normale në njësitë Libohovë dhe Qendër Libohovë, ndërsa në Zagori ka bllokime rrugësh në fshatrat Topovë dhe Zhej, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave. Furnizimi me energji elektrike ka pasur ndërprerje të herëpashershme.

Drejtoria Vendore e Policisë njofton se aksi Tepelenë–Gjirokastër, në zonën e “Shkallës së Zezë”, është i kalueshëm vetëm me një korsi, me qarkullim të kufizuar.

Në Bashkinë Memaliaj, situata është normalizuar në qytet pas ndërhyrjes për heqjen e ujit në hyrjet e pallateve. Në njësinë Memaliaj Fshat, rrugët janë të kalueshme falë ndërhyrjes së mjeteve, ndërsa aktualisht punohet në fshatin Kallëmb për zhbllokimin e rrugëve. Në Luftinjë situata është normalizuar, ndërsa në Qesarat problematike mbeten përmbytjet e tokave bujqësore. Në Krahës, pas ndërhyrjeve, rrugët në fshatrat Zhulaj, Krahës 2, Allkomemaj dhe Kalivaç janë të kalueshme.

Në Bashkinë Përmet, i bllokuar mbetet fshati Buhal dhe zona e Frashërit. Emergjencat tentuan të hapnin rrugën drejt Buhalit, por prurjet e ujit janë ende të larta.

Raporti hidrologjik tregon se niveli i lumit Vjosa ka arritur në 6.5 metra në Memaliaj dhe 4.5 metra në Përmet.

Autoritetet lokale dhe grupet e emergjencës ndodhen në terren për të monitoruar situatën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme