Skema e re e mbështetjes në bujqësi, sa lekë përfitojnë serat, fermat, blegtoria dhe bletaria

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën kriteret e mbështetjes për fermerët, përmes skemës kombëtare.
Lajmi u bë I ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila, në përfundim të mbledhjes së qeverisë, bëri të ditur se me këtë vendim synohet mbështetja e mbi 70 000 fermerëve.
Në një prononcim për mediat, Denaj tha se në fokus do të jetë bashkimi i fermerëve. Sipas saj, janë 77 % e fermerëve që përfitojnë nga skema e miratuar.
“Vitin e kaluar mundësuam 51 milionë dollarë investime për më shumë se 65 000 fermerë. Këtë vit synojmë që fondi të mbështesë mbi 70 000 fermerë. Këtë vit skema kombëtare synon të mbështesë sektorët përmes dy parimeve bazë. Së pari, konsolidimin e sektorit përmes bashkimit, duke synuar që përmes bashkimit të operatorëve të rritet ekonomia e shkallës dhe cilësia e produktit. Dhe përmes kësaj synojmë tregjet elitare në eksportet që janë çdo vit e më të rritura, por dhe një presion gjithnjë e më të shtuar të konsumit të brendshëm duke shfrytëzuar dhe rritjen numrit të turistëve”, tha Denaj.
Skema parashikon mbështetjen për lopët në vlerën 10 000 lekë për krerë, për tufa mbi 10 krerë në fermë. Së dyti, bagëtitë e imta me mbështetje 1 200 për krerë, për tufa mbi 100 krerë për fermë. Mbështetja për bletarinë në vlerën 1000 lekë për zgjua, ku ferma duhet të ketë të paktën 50 zgjoje.
Mbështetje për perimet, luleshtrydhet dhe rrushi në tavolina sera me vlerën 200 000 lekë për hektarë, por jo më shumë se dy sezone dhe jo më pak se 1 hektarë fermë.
“Kemi një produkt të ri, bimët mjekësore aromatike, 30 000 lekë për hektarë dhe jo më pak se një hektar të kultivuar. Nafta për bujqësinë do të vazhdojë me të njëjtat kritere, që s’do të mundësohet me naftë të dhëna me bidona apo kartë, por lekë në llogari”, tha Denaj.
Sipas saj, mbështetej për certifikimin e fermave organike që ka qenë, do vazhdojë të jetë edhe në vitin 2024 sipas standardeve ndërkombëtare.
Denaj tha se prioritet do të kenë aplikuesit që do janë anëtarë të një shoqërie të bashkimit bujqësor, ose bashkim operatorësh me të paktën shtatë anëtarë. Përjashtim bën rasti i serrave, do të jetë katër numri minimal i anëtarëve.
Përparësi do të kenë aplikuesit që vijnë si bashkësi operatorësh në të dy format, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet në mënyrë të barabartë mes aplikantëve që plotësojnë kriteret.
“Këtë vit kemi menduar që të heqim tavanin, por ai të jetë 50 % e masës totale për çdo zë. Regjistrimi me nipt fermeri është kusht. Sot janë 97 000 fermerë të regjistruar me nipt, nëse llogarisim 70 000 përfitues atëherë i bie që janë 77% e fermerëve të jenë përfitues nga skema kombëtare për bujqësinë. Në këto 11 vite kemi pasur formalizim të bujqësisë. Në 2013 kemi pasur 4 000 nipte fermerësh, sot kemi 97 000. Kjo skemë nuk nxit formalizimin, por prodhimin, pasi kjo skemë mbështet prodhimin”, tha Denaj.
Aplikimet pritet të çelen në fund të muajit mars, dhe, sipas Denajt, data që synohet është 27 marsi, me synimin që të gjenden hapësira për të mbështetur të gjithë aplikantët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




