Skemat lehtësuese të OSHEE, mbi 8.300 klientë firmosin aktmarrëveshjen për shlyerjen e borxheve të energjisë

Ekonomi | 1 vit më parë

Skemat lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike kanë gjetur mbështetje të gjerë nga klientët e OSHEE-së.

Vetëm gjatë vitit të fundit, mbi 8.300 debitorë kanë nënshkruar aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal, çka flet për një interes të lartë nga ana e abonentëve.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e aktmarrëveshjeve e kanë nënshkruar familjarët, ku deri më 2 shtator 2025 janë firmosur rreth 7.083 te tilla. Nga këto, 4.780 klientë familjarë e kanë shlyer njëherësh të gjithë borxhin, duke përfituar ulje deri në 70% të kamatëvonesave.

Edhe abonentët jofamiljarë, kryesisht biznese të vogla, kanë treguar interes. Në këtë kategori janë regjistruar 1.234 aktmarrëveshje, ku 887 abonentë kanë përfituar reduktim 50% të kamatës, ndërsa 34 klientë kanë shlyer plotësisht detyrimin, duke përfituar falje të plotë të kamatëvonesës.

Skemat e miratuara mbulojnë detyrimet e akumuluara deri më 31 dhjetor 2023, duke u fokusuar tek familjet në nevojë dhe bizneset e vogla.

Përfituesit paguajnë me këste mujore fikse, krahas faturës aktuale të energjisë. Shuma minimale nis nga 1.200 lekë për familjarët me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, ndërsa për klientët e tjerë familjarë, kësti minimal është 2.800 lekë.

Numri maksimal i kësteve nuk do të kalojë 240, ndërsa klientët që shlyejnë menjëherë borxhin përfitojnë reduktime të ndjeshme të kamatëvonesës, deri në falje të plotë për bizneset e vogla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme