Skemë mashtrimi me kripto në Tiranë, ‘Scam Platform’ çon në pranga 2 shtetas kinezë

Dy shtetas kinezë kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për mashtrim me kriptomonedhat. Sipas burimeve zyrtare, dy shtetasit kinezë i blenë kriptomonedhat nga një shtetas shqiptarë dhe i dhanë pagesën prej 10 mijë eurosh, por më pas i thanë se transaksioni nuk ishte kryer dhe i morën sërish pagesën. Ndërkohë kriptomonedhat kishin kaluar në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre në Hong Kong.
Policia njoftoi se si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit:
-u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë;
-u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kinezë i kanë dhënë në ambientet e një lokali, 10 000 euro, shtetasit A. S., në këmbim të kriptomonedhave që ka patur ky i fundit, në llogarinë e tij kriptofinanciare. 2 të arrestuarit i kanë transferuar kriptomonedhat, në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre, në Hong Kong, por e kanë mashtruar 30-vjeçarin se transaksioni nuk ishte kryer dhe për këtë arsye ia kanë rimarrë 10 000 eurot. Bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë është identifikuar, por për shkak të hetimit ende në vijim, nuk bëhen të njohura gjeneralitetet e tij.
Ndërkaq, për 3 shtetasit e tjerë nisi procedimi penal, mbi dyshime se janë përfshirë ilegalisht, në administrim dhe këmbim kriptomonedhash.
Policia ka sekuestruar 10 000 eurot që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celularë.
Po punohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




